E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyfishohen çmimet e konsumit

Rritja më e lartë e çmimeve të bukës, mishit, karburanteve dhe biletave të transportit

Çmimet e mallrave të konsumit për muajin qershor, ndryshe nga ato të një viti më parë, janë dyfishuar. Në bankën e të akuzuarve për çmime të larta qëndrojnë çmimi i bukës, mishit, naftës, benzinës dhe biletave të autobusit. Rritja e çmimeve të këtyre produkteve ka ndikuar në dyfishimin e inflacionit të këtij viti në krahasim me atë një viti më parë. Ndryshimet paraqiten nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit inflacioni për muajin është 4 për qind, ndërkohë që një vit më parë ai ka qenë 2 për qind. Sipas institucionit të statistikave, mësohet se ulje gjatë këtij muaji kanë shënuar çmimit e zarzavateve dhe të perimeve, ndryshe nga rritja e lartë e çmimeve që është për karburantet. Rritja më e lartë për muajin qershor ka qenë për çmimet e biletave të transportit urban në masën 25.8 për qind, duke u pasuar nga rritja e lartë e çmimit të naftës në 6.8 për qind. Konkretisht, sipas INSTAT-it, indeksi i nëngrupit “transport” për muajin qershor shënoi një rritje prej 4.0 për qindësh, duke pasur një ndikim prej 0.2 për qindësh në totalin e ndryshimit mujor. Gjatë muajit qershor, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 6.8 për qindësh, dhe çmimi i benzinës në rritje prej 4.6 për qindësh. Çmimet e transportit urban gjatë këtij muaji u rritën me 25.8 për qind, ndërsa çmimet e transportit interurban u rritën me 3.0 për qind. Gjatë muajit  qershor, çmimet në disa nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve shënuan një rritje, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet “bukë e drithëra” me 1.2 për qind, “peshk” me 0.3 për qind, “mish” me  0.1 për qind, “sheqer, reçel e ëmbëlsira” me 0.5 për qind etj. Kurse indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një ulje prej 2.6 për qindësh, me një ndikim prej 1.0 për qindësh në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, ulja më e madhe prej 17.6 për qindësh vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të domateve me 40.0 për qind, specave me 39.5 për qind, patëllxhanëve me 35.4 për qind, bamjeve me 17.3 për qind, kastravecëve me 13.4 për qind etj. Indeksi në nëngrupin “fruta” shënoi një ulje prej 6.5 për qindësh, ku mund të përmendim uljen e çmimit të shalqirit me 46.9 për qind, pjeprit me mbi 50 për qind, pjeshkave me 47.6 për qind, dardhave me 9.7 për qind etj. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.1 për qindësh. Brenda këtij grupi, çmimet për këpucë u ulen me 0.3 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›