Shpenzimet e 510 milionë dollarëve

Ekzekutivi do të kalojë ditën e premte për miratim në mbledhjen e radhës buxhetin shtesë të këtij viti, në një kohë kur realizimi i investimeve për komplet vitin 2007 dhe asaj të 6-mujorit të parë të vitit paraqiten në nivele të ulëta. E gjithë kjo situatë tregon mjaft qartë, që ky nuk do të jetë një buxhet i cili nuk do të sjellë investime shtesë, por thjesht do të rialokojë fonde nga ata që nuk janë realizuar, kurse pjesa tjetër për pagat dhe pensionet. Pikësëpari, duke u ndalur në realizimin e investimeve në infrastrukturë të vitit 2007, mësohet se nga administrata shtetërore për 1 vit është ndërtuar vetëm 40 km rrugë. Shifrat bëhen të ditura nga relacioni i buxhetit faktik i vitit 2007, që është përgatitur nga Ministria e Financave dhe i është dërguar për miratim komisioneve parlamentare. Më konkretisht, në buxhetin e vitit fondet e shpërndara për investime në infrastrukturë ishin rreth 410 milionë dollarë, duke shtuar këtu edhe 100 milionë dollarë të akorduar nga buxheti shtesë i vitit 2007. Shpenzimet e të gjithë këtyre fondeve kanë shkuar për ndërtimin e 40 km rrugë, rikonstruksionin e 80 km rrugë dhe ndërtimin e 650 metrave linearë ura. Po ashtu, nga pasqyra e realizimit të investimeve vihet re se e vetmja rrugë që kanë përfunduar komplet punimet, është ajo e Bajram Curri-Margegaj-Dragobi, me 2.7 kilometra. Në ecuri të kënaqshme sipas shifrave që jepen nga Ministria e Financave, është ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, ku ka përfunduar ndërtimi 13 kilometrave rrugë me katër korsi tek Rrëshen- Kalimash dhe Kalimash-Kukës-Morinë. Kurse në ndërtimin e unazës së Shkodrës, i parashikuar të përfundonte vitin e kaluar, punimet e saj përfunduan vetëm pak muaj më parë. Po ashtu, në relacionin e buxhetit faktik thuhet se gjatë vitit 2007, rezulton që nga rreth 3.7 kilometra rrugë, kryesisht me 4 korsi, duke nisur nga rruga Transballkanike në Vlorë, Qendër-Kamzë-Instituti i Kamzës- kthesa Zall-Herr dhe Shkozet-Durrës-Ura e Dajlanit janë realizuar 2.9 kilometra. Kurse rrugë me 2 korsi ishin parashikuar të ndërtoheshin rreth 7.9 kilometra, duke përfshirë atë të rrugës Bulqizë-Ura e Çerenecit, Kardhiq-Delvinë, rehabilitimi i rrugës nacionale Sauk, të rrugës Vidhas-Kombinati Metalurgjik dhe unaza e Kavajës, ku në të gjitha këto punime janë realizuar vetëm 7 km. E tillë paraqitet situata edhe për rrugët nacionale bregdetare, ku për vitin 2007 ishte parashikuar të ndërtoheshin 16.5 kilometra rrugë me 2 korsi, por nga këto deri në fund të vitit 2007 kanë përfunduar 14.2 kilometra rrugë. Këtu përfshihen, pikësëpari, ndërtimi i rrugës paralele Tiranë-Vorë (tenderimi i kësaj rruge bën pjesë në tenderët e skandalit, të cilat çuan në burg ish-ministrin e Transporteve, Nikolin Jakën dhe ish-kreun e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Ilir Berzani), ndërtimi i rrugës së plazhit Spille-Palasë-Dhërmi dhe Dhërmi-Himarë-Qeparo-Sarandë, segmenti tjetër Orikum-Llogora dhe segmenti Vlorë-Orikum. Për sa i përket rikonstruksionit të rrugëve, mësohet se nga në rrugët me 4 korsi është vënë dora e shtetit vetëm për 0.9 kilometra rrugë. Kurse segmente rrugore me 2 korsi janë rikonstrukturuar vetëm 72.9 kilometra. Në lidhje me ndërtimin e urave dhe mbikalimeve, rezultatet që jep Ministria e Financave paraqesin ndërtimin e 607 metrave linearë. Sakaq, në relacionin e Financave thuhet se shpenzimet mesatare faktike për metër linearë të këtyre lloj ndërtimesh janë të njëjta me ato të parashikuara dhe në disa raste më të ulëta.
Investimet, në 6 muaj realizohen 16 për qind
Edhe pse Ministria e Financave nuk ka ende të detajuar tabelën e realizimit të investimeve sipas ministrive, realizimi i tyre në përputhje me planin vjetor është mbyllur. Edhe për këtë 6-mujor investimet paraqiten të ulëta. Burime nga Ministria e Financave thanë se gjatë gjashtë muajve të parë, niveli i investimeve të realizuara është 136 milionë dollarë, apo 16 për qind e nivelit vjetor. Në këto kushte, sipas llogaritjeve, i bie që qeveria të shpërndajë për administratën fonde për investime në vlerën e 674 milionë dollarëve. Në krahasim me një vit më parë, investimet janë 9,7 për qind më pak sesa realizimi i vjetshëm i investimeve për të njëjtën periudhë. Vlera e investimeve prej 136 milionë dollarësh, e krahasuar me planin e këtyre gjashtë muajve, zë rreth 70 për qind, ndërkohë që vjet kjo vlerë ishte mbi 78 për qind. Por ndryshe nga pushteti vendor, në nivele më të larta paraqiten investimet nga pushteti qendror, të cilat deri tani në përputhje me planin vjetor janë realizuar në masën 27 për qind të nivelit vjetor.
Hekurudhat, investimet pezull nga APP-ja
Përveç rrugëve, akoma më keq paraqitet gjendja në investimet në hekurudha. Për gjatë vitit 2007 ishin parashikuar të rikonstrukturoheshin linja hekurudhore Durrës-Rrogozhinë. Sipas relacionit të Financave, shpjegohet se fondet për këtë investim janë rialokuar dhe shkak ka qenë vonesat në procedurat e tenderimit që ka krijuar Agjencia e Prokurimeve Publike. E njëjta situatë paraqitet edhe për rikonstruksionin e stacionit të Elbasanit, ku për shkak të vonesave të procedurave të tenderimit nga APP-ja, fondet u rialokuan diku tjetër. Përveç kësaj, gjatë vitit 2007 qeveria kishte parashikuar për hekurudhat “blerje të traversave prej druri special”, me vlerë 10 milionë lekë të reja. Sipas Financave, bëhet e ditur se projekti nuk u realizua, pasi firma u tërhoq nga realizimi i kontratës. Por nuk duhet harruar faktik që gjendja e hekurudhave paraqitet mjaft e rënduar. Zgjidhja e vetme që paraqitet nga qeveria për përmirësimin e tyre është dhënia me koncesion, ku deri tani në garë për këtë janë dy kompani.