Do vijë dita kur bota do ta ketë zili Shqipërinë e Kosovën

Shkrimtari Dritëro Agolli, nëpërmjet një urimi për 100-vjetorin e Pavarësisë, ka thënë për “GSG”, se do vijë një ditë, që Shqipërinë e Kosovën do i kenë zili.
Nga Dritëro Agolli
Festimet e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, uroj që të na frymëzojnë ta bëjmë Shqipërinë ashtu si ëndërruan ata që ngritën flamurin në Vlorë më 28 Nëntor 1912 me Ismail Qemalin në krye dhe ata që e përgatitën këtë shpallje, rilindësit e mëdhenj dhe të tjerë që luftuan kundër pushtuesve të të gjitha ngjyrave, deri tek ata fashistë e nazistë.
Uroj që këto festime të na nxitin të ndërtojmë një demokraci të vërtetë, me një kulturë të lartë demokratike, pa mërira dhe acarime, të cilat sjellin vetëm konflikte dhe prishje të atmosferës, edhe të punës, edhe të shpirtit. Unë kam besim se atmosfera festive do të na vërë në mendime të punojmë më shumë për ngritjen e mirëqenies ekonomike dhe kulturore të popullit, që brezat e ardhshëm të jenë krenarë më shumë se sa jemi ne për të parët tanë.
Ne jemi në atmosferën e një feste të madhe, ku kritikat nuk shkojnë. Është njëlloj si, në një dasmë t’i bësh vërejtje nuses apo fustanit të saj; por ndonjë dëshirë mund të shprehet me zë të ulët. Fjala vjen, dëshirojmë që harmonia e demokracisë ta përmirësojë administratën, që nga zyra e atij që jep një certifikatë, deri tek zyra e kryeministrisë që nxjerr një dekret, raporton Tema.
Veç kësaj, mendoj se ka ardhur koha të kemi një administratë të qëndrueshme, pa e ndryshuar krejtësisht në çdo katër vjet që bëjmë zgjedhjet, pasi po vepruam si deri më sot, do të mëkojmë vetëm nëpunës me lepurin në bark: Obobo, për tre a katër vjet do më degdisin!
Nejse, t’i lëmë këto!
Unë besoj pa lëkundje, se Shqipëria në të dyja anët e Drinit, shkurt me Kosovën, do të begatohet siç thotë populli, që bota ta ketë zili.
Mbetet vetëm të punojmë bashkë, të kundërshtojmë kur duhet, pa u sharë. Në këto çaste na vijnë në mendje fjalët e Naimit të paharruar: “Punë, punë, natë e ditë, që të shohim pakëz dritë”. Gëzuar festën e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë!/Indeksonline/