E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokumentin e pavarësisë mund ta ketë Beogradi?

Deklarata origjinale e shpalljes së Aktit të Pavarësisë në vitin 1912, edhe pas 100 vjetësh, nuk është gjetur.
Bile drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika dyshon se ky dokument mund të gjindet edhe në Beograd.

Në një intervist për gazetën Shqip ajo ka thënë se nuk kanë shkuar në arkivat e Beogradit, sepse atje ka edhe një lloj shtrëngimi e mbylljeje.

“Edhe nëse gjendet atje, ky dokument është dhënë nën dorë, ose si dhuratë simbolike. Mund të jenë edhe në arkivin vetjak të Josif Broz Titos. Ndonëse më duket paksa e pajustifikuar që të gjendet në arkivat e Beogradit, nuk e përjashtoj mundësinë për të kundërtën. Një kërkim e bëmë edhe në arkivat e Italisë, por nuk rezultoi asgjë. Mendoj se Lefi nuk e ka lëshuar kurrë për ta çuar jashtë shtetit. Mundësitë më të shumta janë që ky dokument i rëndësishëm të ketë mbetur brenda Shqipërisë. Shpresojmë që të mos e kenë grisur”, tha Nika.

Ajo shprehet se ndër vite, historianët kanë neglizhuar në kërkimet për gjetjen e origjinalit, ndërkohë që sipas saj, një pjesë edhe kanë bërë deklarata abuzive.

“Për fat të keq, ende nuk e kemi Aktin origjinal të Pavarësisë. Në fakt, kërkimet nuk kanë qenë vetëm në këto muajt e fundit. Që në rastin e 95-vjetorit të pavarësisë, kjo drejtori bëri një apel publik që çdokush që do të dinte diçka mbi fatin e kësaj deklarate, të na ndihmonte”.

Sipas drejtoreshës së arkivit të shtetit pati një lloj lëvizje të vogël gjatë këtij viti me rigjetjen e fotos së aktit origjinal, bërë më 1937 nga Kel Marubi, fotografi zyrtar i mbretërisë, gjatë kremtimit të 25-vjetorit të Pavarësisë.

Mirëpo ajo kishte rezultuar pak më ndryshe në pamje nga botimi i bërë nga Lef Nosi. “Letra dukej qartësisht që ishte me vija, dy njollat për të cilat ishte përfolur se mund të ishin shenja gishtash të firmëtarëve, u kuptua se nuk ishin të tilla. Akoma edhe më i qartë ishte imazhi në xhamin fotografik që u rigjet në Fototekën Marubi. Kjo nxitje erdhi nga dy djem të rinj, koleksionisti Niko Kotherja në Korçë që rigjeti foton dhe nga Luçiano Bedeni, drejtori i ri i Fototekës Marubi, i cili vuri në dispozicion xhamin”. Këto hulumtime kanë konfirmuar se deri në vitin 1937 akti ka qenë, nuk ishte zhdukur, nuk ishte tjetërsuar dhe nuk ishte vënë dorë mbi të.

Megjithatë, nga ky vit Nika beson se e ka pasur Lef Nosi, firmëtar i aktit, një personazh emblematik, i cili me dashurinë e tij të madhe për historinë e vendit, na ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme dokumentesh.

“Lef Nosi duhet ta ketë mbajtur me reliket e tij të çmuara“, tha Nika./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›