Inter e Bajern, gati për superfinalen e Madridit
MILANO- Interi dhe Bajerni i Mynihut kanë zhvilluar seancat e fundit stërvitore në qendrat e tyre, përpara se të udhëtojnë për në Madrid, ku të shtunën do të luajnë finalen e Champions League. Problemi i vetëm i zikalërve është një dëmtim i lehtë i Mario Balotelit, por që pritet të jetë në dispozicion të Murinjos për takimin e së shtunës. Në vend të tij, tekniku portugez pritet të aktivizojë që nga minuta e parë maqedonasin Goran Pandev. Përsa i përket formacionit, zikaltërit pritet të zbresin në fushë me Zhulio Sezar në portë, Maikon, Lusio, Samuel e Kivu në mbrojtje. Përpara tyre do të luajë dyshja Kambiaso-Zaneti, ndërsa pas sulmuesit kryesor Diego Milito do të jenë Shnajder, Eto dhe Pandev. Interi do të stërvitet në një lagje periferike të Madridit, ndërsa do të qëndrojë në hotelin Mira Sierra, ku grumbullohet edhe Reali. Ndërsa zikaltërit janë nisur që të mërkurën në mbrëmje për në Spanjë për shkak të frikës nga hiri vullkanik, Bajerni do ta bëjë këtë ditën e enjte. Luis Van Gal ka zhvilluar të mërkurën një seancë stërvitore me dyer të mbyllura, duke praktikuar disa skema me të cilat synon të ndalë formacionin e Murinjos të shtunën në mbrëmje. Ndërkohë, Andreas Brehme, një lojtar që ka bërë historinë e Bajernit dhe të Interit, nuk është dakord me Van Gal që Murinjo bën një lojë mbrojtëse. “Interi është një skuadër teknikisht shumë e fortë dhe për dëshirën time, ata shënojnë të parët dhe më pas fiton Bajerni, - thotë Brehme. – Por, të shohim se kush do të jetë më në formë të shtunën. Unë e pashë Interin kundër çelsit dhe mund të them se luajti një ndeshje të jashtëzakonshme dhe me një stil shumë sulmues. Mendoj se Murinjo është shumë i zoti dhe ai e njeh mjaft mirë Bajernin, pasi e pa edhe në ndeshjen e fundit ndaj Hertës”, shton ai. Sipas Brehmes, kur një skuadër fiton me kaq shumë pikë kampionatin italian, është me të vërtetë shumë e vështirë për t’u mundur. “Bajerni ka disa lojtarë shumë në formë, por në rast se dëshiron fitoren, duhet të jetë në 100 %”, deklaron ish-futbollisti gjerman.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)