E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobësohet dollari, shtrenjtohet nafta

Nga Express më 26 korrik 2011 në ora 21:05

Çmimet e naftës janë rritur të martën në tregjet ndërkombëtare, nën ndikimin e dobësimit të dollarit për shkak të vazhdimit të paqartësive lidhur me bisedimet në Uashington rreth ngritjes së limitit të borxhit shtetëror.

Në tregun londinez çmimi i naftës së papërpunuar është rritur për 50 centë, në 118,44 dollarë për barel. Njëkohësisht në tregun amerikan nafta është shtrenjtuar për 49 centë, në 99,69 dollarë për barel.

Presidenti amerikan, Barack Obama, u ka bërë thirrje drejtuesve republikanë dhe atyre demokratë që të gjejnë kompromis lidhur me rrezikun e ngritjes së limitit të borxhit shtetëror, në mënyrë që qeveria në gusht do të mundet në mënyrë të rregullt t’i kryejë obligimet e saja. Nëse limiti i borxhit nuk do të arrihet, atëherë qeveria amerikane nuk do të mund që të paguajë obligimet financiare.

Paqartësia e krijuar me këtë rast ka ndikuar në dobësimin e dollarit në nivel rekord në krahasim me frangun zviceran, i cili konsiderohet strehë e sigurt për kapitalin në kohë të pasigurta. Megjithatë, analistët presin që në Uashington së shpejti të arrihet marrëveshja.

Investuesit do të përcjellin me kujdes raportet gjatë kësaj jave lidhur me rezervat e naftës, në mënyrë që të vlerësojnë gjendjen e kërkesave në SHBA pas të dhënave dëshpëruese makro-ekonomike, të cilat kanë treguar për ngadalësim të rikuperimit ekonomik.

Organizata e vendeve eksportuese të naftës (OPEC) njoftoi ndërkohë se çmimi i barelit të naftës në rafineritë e saja të hënën ka shënuar rënie për 33 centë krahasuar me një ditë më herët, në 113,33 dollarë për barel.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›