Thaçi: S’mund të tolerojmë përjetësisht cenimin e sovranitetit
vvv_273624_thumb_large.jpg)
(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një deklaratë për opinion, në orët e mbrëmjes ka folur për aksionin e policisë në veri të vendit për të rivendosur kontrollin në pikat kufitare. Ai ka theksuar se aksioni, në asnjë mënyrë, nuk duhet kuptuar si veprim i nxitur dhe me qëllim provokues.
Qëllimi vetëm ka qenë vendosja e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, ka thënë zoti Thaçi.
Si kryeministër i Kosovës ka shprehur publikisht admirimin për forcat e rendit.
“Vendimi i mbrëmshëm ka qenë jo i lehtë, por i drejtë dhe i domosdoshëm, në fund të fundit si kryeministër kam përgjegjësi morale dhe ligjore të marr vendime të rënda, por është e rëndësishme të jenë vendime të drejta”.
“S’mund të jemi indiferentë dhe përjetësisht të tolerojmë që sovraniteti ynë të cenohet, që një pjesë e atdheut të përdoret për kontrabandë”, tha kryeministri Thaçi.
Ai ka ftuar qytetarët e Kosovës për mirëkuptim, qetësi dhe gjakftohtësi, kurse Beogradit i ka bërë thirrje që të evropianizojë qasjen në raport edhe me shtetin e Kosovës, duke thënë se bashkëpunimi është në interes të të dyja shteteve.
Ka porositur se s’do të bëjë kompromis me askënd për sigurinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës, dhe se vendimi është në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
“Partneritetin me miqtë ndërkombëtarë duhet ta ruajmë si sytë e ballit”, tha Thaçi, por shtoi se mbi të gjitha është respektimi i Kushtetutës dhe ruajtja e sovranitetit të Republikës.
Thaçi sonte flet për zhvillimet
Kryeministri Hashim Thaçi do të mbajë një konferencë për media sonte në orën 20:30, lidhur me zhvillimet e fundit, pas vendimit të Qeverisë që Policia e Kosovës të fusë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 që gjenden në pjesën veriore të Kosovës.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, konferenca do të mbahet në Press Qendrën e Qeverisë së Kosovës.
Thaçi: Policia speciale do të mbetet në pikat 1 dhe 31
Pohimet për kompromis me Serbinë, janë hedhur poshtë nga kryeministri Hashim Thaçi.
Siç transmeton RTK, Thaçi ka potencuar vendimin se policia e Njësisë Speciale e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në pikat kufitare 1 dhe 31.
Çollaku: Asnjë lloj marrëveshje nuk ka
Njësitë speciale të Policisë së Kosovës, që u vendosën gjatë natës në pikat kufitare në veri, në kufi me Serbinë, do të tërhiqen si pjesë e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga NATO, ka cituar agjencia Associated Press, një zëdhënës të NATO-s.
Nga zyra e kryeministrit ndërkaq, Bekim Çollaku, këshilltari i lartë politik i kryeministrit të Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë marrëveshje lidhur me çështjen e pikave kufitare në veri të vendit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Asnjë lloj marrëveshje nuk ka deri më tani. Është çështje sundimit të rendit dhe ligjit, asgjë më shumë e as më pak”, ka thënë Çollaku.