E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobësohet euro, ja kostot dhe përfitimet

10/01/2012  Sipas ekspertëve, situata është e lidhur ngushtë me zhvillimet e tregut të eurozonës

Dëmtohen eksportet, priten çmime më të lira dhe ulje e kostos së borxhit

Në tregun vendas, monedha evropiane është dobësuar ditët e fundit, duke u këmbyer me 137 lekë, ndërsa dollari amerikan arriti shifrën më të lartë gjatë 2 viteve të fundit, duke u këmbyer me 108.1 lekë. Ekspertët bëjnë të ditur se të parat në Shqipëri që do të vuajnë efektin negativ të dobësimit të euros në tregun ndërkombëtar do të jenë eksportet. Që nga janari dhe deri në nëntor të vitit 2011 Shqipëria ka eksportuar 800 milionë euro mallra dhe për çdo pikë të dobësimit të euros sasia e parave që përftohet do të jetë më e ulët. Zhvlerësimi i monedhës evropiane sjell ndikime pozitive që lidhen me koston që duhet të paguajë qeveria për borxhin që ka në këtë monedhë dhe atë të konsumatorit shqiptar. Kjo për shkak se çmimet e mallrave të importuara do të jenë më të lira. Ekspertët parashikojnë se në të ardhmen kursi i brendshëm i këmbimit valutor mund të reflektojë një rënie të monedhës së përbashkët, por çdo gjë do të jetë e lidhur ngushtë me zhvillimet e tregut të eurozonës. Monedha evropiane ka humbur 5.1% ndaj dollarit gjatë muajit të kaluar. Të dhënat mbi gjendjen ekonomike në eurozonë pritet t`a dëmtojnë edhe më shumë vlerën e saj, duke sinjalizuar parashikime të zymta ekonomike për ekonominë evropiane në vitin 2012. Në 13 vjet që kur u krijua, euro i ngjan një adoleshenteje, deri tani me një jetë të shëndetshme. Një recesion i dytë ka nisur të shihet në eurozonë dhe tregjet janë kthyer kundër saj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›