E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dobiani takon homologun maqedonas

11/06/2005  Avokati i Popullit, Ombudsmani i Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), Ixhet Memeti mbërriti dje, në Tiranë, për një vizitë tre ditore, me ftese të Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani. “Jam i kënaqur t’ju pres juve si Ombudsman i vendit fqinj, por edhe si përfaqesues i shqiptarëve të Maqedonisë, për të këmbyer së bashku mendime dhe përvoja në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vendet tona përkatëse”, u shpreh Dobjani. “Edhe unë jam shumë i interesuar të vazhdojmë bashkëpunimin tashmë të nisur midis dy zyrave tona, e madje ta forcojmë atë më tej në interes të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve tanë”, deklaroi Memeti. Avokati ynë i Popullit e ka njohur kolegun e Maqedonisë, me raste të ndryshme të ndjekura nga ky institucion në marrëdhëniet e tij me të tre pushtetet. Ixhet Memeti është zgjedhur në detyrën e Avokatit të Popullit nga Parlamenti i Maqedonisë prej disa muajsh. Ai ka qenë dy herë Ministër i Drejtësisë në shtetin fqinj, sidhe para caktimit në detyren e tanishme, ka qenë Anëtar i Gjykatës Kushtetuese të FYROM-it. Në takimin që Memeti pati me Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu, vuri në dukje rëndësinë që merr institucioni i Avokatit të Popullit kur mbështet nga institucione të tjera të shtetit dhe veçanërisht nga Presidenti. Kryetari ynë i shtetit, ka vlerësuar rolin shumë të rëndësishëm që luan Institucioni i Avokatit të Popullit në procesin e integrimit të vendeve tona në familjen europiane dhe në këtë kuadër nënvizoi evoluimin, që është bërë në çështjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në rajonin e Ballkanit. Moisiu, vlerësoi edhe qëndrimin objektiv të Memetit, gjë që kontribuon klimës së përgjithshme të marrëdhënieve shumë të mira, që ekzitojnë midis dy vendeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›