Ndalohen dy të rinj, deshën të realizonin “Gërdecin” në fshatin e tyre
DURRËS – Dy të rinj janë ndaluar nga policia, pasi kanë marrë një predhë në Gërdec dhe e kanë shpërthyer atë në fshatin e tyre. “Më datë 13.05.2008 filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve Redon Bushgjoka, lindur ne Tropojë dhe banues në Katund Sukth dhe bashkëfshatarit të tij Jetmir Kurti, i lindur në Burrel për arsye se dyshohet se më datë 13.05.2008 kanë shkuar në zonën përreth fshatit Gërdec ku kanë gjetur dhe kanë marrë një gëzhojë të kalibrit 130 mm, (pa predhë)”, - bëjnë të ditur burimet zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit. Sipas tyre, “Bushgjoka dhe Kurti e kanë transportuar për në Katund Sukth predhën e vjedhur në Gërdec, dhe rreth orës 10.00, në një parcelë bujqësore kanë tentuar t’i hiqnin fitilin e barutit, por në këtë kohë gëzhoja ka plasur”. Dy shtetasit e mësipërm kanë mundur të largohen nga vendi i ngjarjes, pa pësuar dëmtime. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore dhe më pas kanë nisur hetimet për shpërthimin. Brenda një kohe të shkurtër ata identifikuan 21 vjeçarin Bushgjoka dhe 19-vjeçarin Kurti si autorë të shpërthimit. “Policia kreu të gjitha veprimet procedurale për dy të rinj dhe prokuroria ka nisur hetimet për veprat penale të “mbajtjes pa leje të municioneve luftarake” dhe të “prishjes së qetësisë publike në bashkëpunim”.
15 Maj 2008