Dobjani: “Burgu i Fushë-Krujës, pa kamera sigurie”
Tiranë - Avokati i Popullit ka kërkuar vendosjen e kamerave të sigurisë në Burgun e Fushë-Krujës. Në një rekomandim zyrtar për kreun e burgjeve dhe ministrin e Drejtësisë, Dobjani ka shpjeguar se së fundmi janë shtuar rastet e dhunës në këtë burg. Por, për të verifikuar dëshmitë e të dënuarve duhen kamerat e sigurisë në ambientet e izolimit apo edhe të paraburgimit. Sipas Dobjanit, mbikëqyrja me kamera ka një efekt parandalues për kryerjen e veprave të dhunshme dhe të dënueshme si nga ana e të dënuarve, ashtu edhe nga vetë punonjësit e policisë së burgjeve. “Mbikëqyrja me kamera dokumenton shumicën e ngjarjeve brenda ambienteve të sigurisë në burgje dhe jep garanci për një gjykim objektiv dhe të paanshëm mbi masat disiplinore apo penale që duhet të merren ndaj personave përgjegjës”, - thuhet në rekomandimin e Dobjanit. Avokati i Popullit ka konstatuar se vendosja e kamerave të sigurisë është zbatuar përgjithësisht gjatë hapjes së burgjeve dhe qendrave të reja të paraburgimit në vend. Por, kohët e fundit, me hapjen e Burgut të Fushë-Krujës është konstatuar se megjithëse ishin lëvruar fondet përkatëse, ende nuk ka përfunduar procedura për përzgjedhjen e firmës private që do të instalojë kamerat në këtë burg.
Tragjedia e familjes shqiptare në Firence, prokuroria: Vrasje e paqëllimshme
Zi në familjen Gjonaj, kërkohet kthimi i trupave të pajetë
Tiranë - Është “vrasje e paqëllimshme” hipoteza e krimit mbi të cilën po heton Prokuroria e Firences lidhur me shpërthimin e regjistruar mëngjesin e dy ditëve më parë, ku humbën jetën tre anëtarë të një familjeje shqiptare. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave dinamika e ngjarjes është ende për t’u ndërtuar.
Ngjarja
Sipas burimeve, rrjedhja e gazit që shkaktoi shpërthimin ishte në katin e parë ku jetonte një person që mbeti i plagosur rëndë. Ky i fundit deklaroi dje se shpërthimi ishte regjistruar pasi kishte ndezur një cigare. Ai shpëtoi falë spostimit të ajrit që e nxori jashtë shtëpisë. Në provincën ku ndodhi tragjedia, në Barberino del Muxhelo, ditën e mërkurë do të mbahet zi për gruan shqiptare dhe fëmijët e saj që humbën jetën në shpërthim. Grilat e dritareve do të jenë të ulura, ndërsa zyrat shtetërore të mbyllura.
Kërkesa
Pas ngjarjes tragjike në Firence, në Malësinë e Madhe, aty ku janë edhe të afërmit e familjes Gjonaj, është hapur zia. Familja e Gëzim Gjonajt, bashkëshortit të Anxhelina Gjonajt, pret e përcjell që nga dita e diel me dhjetëra njerëz që vijnë për ngushëllim. Gjyshja e fëmijëve tregon se lajmin e morën përmes telefonit. Rreth darkës së të dielës, te shtëpia e tyre erdhi daja i Anxhelinës, duke i thënë Gëzimit se e shoqja kishte pësuar djegie gjatë gatimit. Familjarët kërkojnë nga shteti që të ndërhyjë sa më shpejt për të bërë të mundur kthimin e trupave të pajetë në atdhe, ndërsa shprehen se përgjegjësia duhet të bjerë mbi dikë. Një ditë përpara se të ndodhte tragjedia, gjyshja e fëmijëve tregon se kishte folur në telefon me ta dhe i priste që gjatë verës të vinin në Shqipëri, por tashmë, shprehet ajo, “as nuk do t’i dëgjoj më dhe as nuk do t’i shoh më”.
Dibër, vazhdon gjuetia jashtë sezonit
Edhe pse sezoni i gjuetisë për derrin e egër është mbyllur që më datën 31 janar, në shumë zona të vendit gjuetia e kësaj kafshe të egër vazhdon. Në zonat e thella të Dibrës së fundmi, edhe për shkak të sezonit të shumimit, ka pasur raste të shfaqjes së kësaj kafshe të egër dhe gjuetarët duke shkelur rregullim për të mos vrarë këtë specie kanë arritur që të vrasin deri në tre derra të egër në ditë. Banorët e fshatit Sinë e Epërme janë gjuetarë të njohur dhe duket se nuk e dinë se gjuetia në këtë sezon është e ndaluar me ligj. Ata kanë arritur të vrasin edhe lepuj e thëllëza, specie që sërish hyjnë në listën e mbrojtur në këtë periudhë.
Itali, mbron shqiptaren, grabitësit e plagosin
Një gjest human i ka shkaktuar shtrenjtë një shtetasi slloven, që jeton në Itali. 40-vjeçari ndërhyri për të mbrojtur një grua shqiptare nga dy grabitës afrikano-veriorë, por ka përfunduar në spital. Slloveni ka reaguar pasi ka parë dy hajdutët t’i afrohen gruas për ta vjedhur. Ngjarja ndodhi natën e së dielës, përpara një shpërndarësi automatik cigaresh, në një bar të Milanos. Dy afrikanët e kanë qëlluar atë disa herë me thikë në trup. Si pasojë e plagëve të marra, i plagosuri u dërgua në spital, ndërsa policia është vënë në ndjekje të dy agresorëve.
Zbulohet letra-amanet për fëmijën e gruas së vetëvarur tri ditë më parë
Tiranë – Tragjedia familjare në kryeqytet, që ndodhi tri ditë më parë duke i marrë jetën një gruaje të re, ka vënë policinë në lëvizje duke zbardhur shkaqet e ngjarjes. Specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit konfirmuan dje për gazetën “Albania” se vdekja e 35-vjeçares Xhuljeta Allushi ka ardhur si një përpjekje e përsëritur për t’u vetëflijuar. “E ndjera, sipas dëshmive të familjarëve të saj, vuante nga sëmundje mendore dhe kishte tentuar dhe disa herë të tjera të vetëvritej”, - pohoi policia. Megjithatë, nëna e dhimbsur kishte lënë amanet për fëmijën që kishte sjellë në jetë. Xhuljeta i kishte lënë një letër vëllait. “Në këtë letër, gruaja e vetëvarur, pak para se të kryente aktin e vdekjes, kishte shkruar për vëllain e saj, që ai të kujdesej për fëmijën e saj pasi vetë kishte vendosur të mos jetonte më”, - pohuan burime nga grupi i hetimit. Ngjarja ndodhi tri ditë më parë, në rrugën “Mihal Duri”, në kryeqytet. E ndjera Xhuljeta Allushi është gjetur e varur në banesën e saj me kabëll elektrik. Ajo u zbulua nga familjarët që lajmëruan policinë. Kjo e fundit, pasi kreu hetimet, arriti në përfundimin se kishin të bënin me një vetëvrasje.
3 Mars 2009