Dubluesit e kartave të kreditit kërkojnë mëshirën e gjykatës
Laureta Rryçi
Tiranë - Katërmbëdhjetë të pandehurit e kapur nga operacioni policor i koduar “Matrix 4” kërkuan dje gjykim të shkurtuar. Gjatë seancës së radhës, që u zhvillua në Gjykatën e Tiranës, mbrojtësit e të pandehurve dorëzuan kërkesat e klientëve të tyre. Ndërsa për të pandehurin Endri Mezuraj u kërkua veçimi i çështjes nga të tjerët. Procesi për këtë dosje ka nisur vetëm prej pak kohësh dhe gjykimi është ende në fazat e para. Të pandehurit gjatë seancës së djeshme vendosën të pranonin aktet në gjendjen që ishin, duke kërkuar kështu një përshpejtim të procesit gjyqësor. Për këtë kërkesë, trupi gjykues vendosi të shprehej në seancën e ardhshme duke kërkuar kohë për të vendosur mbi këtë moment juridik.
Të pandehurit
15 të pandehurit e kësaj çështjeje, Anil dhe Endrit Gjergjani, Alban Bare, Blerim Abazi, Endri Mezuraj, Enea Çela, Fatmir Borshi, Fatmir Kolmarku, Flamur Gashi, Indrit Abazi, Klajdi Terolli, Kreshnik Luka, Ledjo Doko, Redi Çikani dhe Rei Karapici përballen me akuzat: “mashtrim në bashkëpunim i disa personave më shumë se një herë” dhe “falsifikim i letrave me vlerë”. Ata u prangosën në fillim të gushtit të vitit të kaluar, në kuadër të operacionit policor të koduar “Matrix 4”. Të pandehurit akuzohen se kanë klonuar kartat e kreditit tip “Vissa” dhe “Master Card”, duke shkaktuar vjedhjen në dhjetëra degë bankare të një shume të konsiderueshme.
Rastet
Sipas të dhënave hetimore të dosjes, numërohen 400 raste nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj, ku vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në shtete perëndimore. Viktimat e tyre ishin qytetarë të huaj, kodet dhe numrat e llogarive bankare të të cilëve grupi i adoleshentëve shqiptarë i blinte “online” në internet. Pasi siguronte të dhënat e nevojshme për llogari të qytetarëve europianë, hakerët shqiptarë klononin kartat e tyre të kreditit dhe me anë të tyre tërhiqnin paratë. Në cilësinë e provave materiale, atyre iu sekuestruan pajisje elektronike për klonimin e kartave me shirit magnetik, një sasi kartash me shirit magnetik të mbushur, 1 kompjuter laptop dhe 6 kompjutera të zakonshëm, dokumente bankare për pajisje me karta krediti, certifikata të ndryshme, 5 automjete, si dhe disa doza lëndësh narkotike, hashash dhe heroinë.
3 Mars 2009