E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: “Kurs 4-vjeçar për specializimin e mjekëve të urgjencave”



Në shtator pritet të nisë një kurs 4-vjeçar për specializimin e mjekëve në Shërbimin e Urgjencës. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, në një takim me drejtuesit e ASHR-së dhe specialistë italianë të shëndetësisë, u shpreh se shërbimi i urgjencave në vendin tonë është drejt një reformimi të thellë. Reformimi do të nisë duke filluar që nga ngritja e strukturave për ofrimin e këtij shërbimi, si dhe përgatitja e specialistëve. “Do të realizojmë përmirësimin e dukshëm dhe ngritjen atje ku nuk ekziston të infrastrukturës në të gjithë sektorët e urgjencave dhe pajisjen me mjetet e nevojshme për një funksionim normal”, - u shpreh Godo. Mjekët italianë nga Torino po shkëmbejnë eksperiencën e tyre, në një kurs njëmujor me 50 mjekë shqiptarë, në shërbimin e urgjencës. Ky bashkëpunim do të jetë si në infrastrukturë, pajisje të teknologjisë së fundit, si edhe në trajnimin e kapaciteteve njerëzore. Gjithashtu, prioritet u janë dhënë edhe spitaleve të Lushnjës dhe Sarandës, për nga fluksi i njerëzve që ata trajtojnë. Ky kurs ka për qëllim të trajnojë mjekët për të përballur traumat e rënda kur paraqiten në shërbimin e urgjencës. Këto kanë të bëjnë me trajnimin në praktikat e reanimacionit, të stabilizimit të pacientit, si edhe t’u ofrojnë një shërbim urgjence personave jashtë spitalit, në mënyrë që të arrijnë në shërbimin e urgjencës pasi kanë marrë një trajtim të përshtatshëm.

Bashkia mbjell 50 pemë në rrugën “Perlat Rexhepi”

Bashkia e Tiranës mbjell 50 pemë të reja në rrugën “Perlat Rexhepi”, në kryeqytet. Kështu, një tjetër sipërmarrje e rëndësishme në kryeqytet i është bashkuar nismës “Një qytetar – një pemë”, të iniciuar nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Rama ka marrë pjesë në këtë aktivitet, ku përsëriti edhe një herë thirrjen e tij drejtuar sipërmarrjeve në kryeqytet për t’iu bashkuar kësaj nisme: “Të gjitha bankat e kryeqytetit i janë përgjigjur pozitivisht apelit tonë për t’u bërë pjesë e nismës “Një qytetar-një pemë” dhe sot ky apel gjen mishërimin e vet në mbjelljen e një grupi tjetër pemësh, në një rrugë tjetër të kryeqytetit. Tani, ne do të hyjmë në një fazë tjetër, që është mbjellja e pemëve brenda blloqeve të banimit dhe kjo është një fazë e re që kërkon një pjesëmarrje edhe më të madhe, prandaj unë u bëj përsëri thirrje të gjitha sipërmarrjeve kryeqytetase që të bëhen pjesë e nismës “Një qytetar - një pemë”, - u shpreh Rama.
Ai ftoi çdo qytetar të Tiranës që të japë kontributin e tij duke u bërë pjesë e kësaj iniciative.

3 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›