E Diel, 1 Nëntor 2026

“Eagle Mobile”, projekt në ndihmë të fëmijëve jetimë



Kompania e telefonisë celulare “Eagle Mobile” ka vendosur të ndihmojë me bursa fëmijët jetimë. Drejtuesi i kompanisë “Eagle Mobile”, Ali Taksin, ka mbledhur rreth 30 biznese, të cilat do të kontribuojnë për t’i ndihmuar fëmijët jetimë. Vetë kompania “Eagle Mobile”, e cila do të jetë edhe koordinatore e këtij projekti, që ka moton “Biznesi, në ndihmë të fëmijëve jetimë”, do të japë 25 bursa për këta fëmijë. Zoti Ali Taksin tha se 10 prej bursave do t’u shkojnë të rinjve që kanë mbaruar shkollën e mesme dhe se ky është vetëm një hap i parë që po merret për këtë projekt. Në vendin tonë numërohen rreth 31 mijë fëmijë jetimë, shumë prej të cilëve jetojnë në kushte të vështira jetese.

Probleme me kanalizimet, hapet sërish rruga “Irfan Tomini”

Hapet sërish për rehabilitim rruga “Irfan Tomini” në kryeqytet. Megjithëse kjo rrugë është rindërtuar rreth dy vjet më parë, problemet me kanalizimet kanë bërë që autoritetet vendore të ndërmarrin përsëri një projekt për rehabilitimin e saj. Këtë herë ndërhyrjet janë përqendruar në rrjetin e kanalizimeve, ndonëse për këtë fakt është çarë asfalti i ri. Në të vërtetë rruga “Irfan Tomini” prej vitesh mbart një problem të madh me kalimin e ujërave, ku për shkak të investimeve të cunguara e të shpejta, asnjëherë nuk është ndërhyrë deri në riparimin e rrjetit, por janë mbuluar gropat me ngutin për të prerë shiritin përpara fushatës së zgjedhjeve. Aksi që lidh unazën me një pjesë të “Selitës” dhe “Tiranës së Re”, është një nga më të ngarkuarit me lëvizje. Për këtë fakt, edhe punimet e kësaj here kanë vështirësuar qarkullimin në të gjithë këtë zonë me dendësi të madhe banorësh, telashe që tashmë të gjithë po mësohen t’i kenë pranë sa herë afrojnë fushatat zgjedhore.

Kukës, kontrolli në sektorin privat, ulet numri i të papunëve

Rritja e kontrollit ndaj punësimit në të zezë në biznesin e madh kryesisht, ka ndikuar pozitivisht në uljen e numrit të papunëve në qytetin e Kukësit. Për këtë, përgjegjësi i zyrës rajonale të punës e përkrahjes sociale në qarkun e Kukësit, Dylber Dafku, shprehet: “Edhe pse në dy muajt e parë të këtij viti nuk janë vërejtur hapje të fronteve të reja të punës, numri i të papunëve është në rënie, si rrjedhojë e rritjes së kontrollit në sektorin privat, që ka minimizuar fenomenin e punës në të zezë”. Sipas tij, rritja e kontrollit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional bën të mundur njohjen reale të situatës, por edhe shtimin e efektivitetit të fondeve në favor të familjeve që kanë më tepër nevojë për ndihmë. Kështu, vetëm nga Bashkia e Kukësit brenda një muaji u ul me 120 numri i familjeve që përfitojnë ndihmën ekonomike. Për herë të parë, nga ky kontroll, numri i familjeve me ndihmë ekonomike ka rënë gjatë 10 viteve të fundit nën 1600 familje. Kjo ka ndikuar në rritjen e ndihmës ekonomike nga 56 për qind, në 89 për qind për familjet realisht në nevojë.

3 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›