E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: “Duhet një ligj për kthimin e pasurisë së luajtshme të sekuestruar”

Rekomandimi, pas dhjetëra ankesave që kanë mbërritur në zyrën e Avokatit të Popullit. Dobjani kërkon ndërhyrjen e kryeministrit për të vënë në lëvizje ministrin e Drejtësisë

Laureta Rryçi

Tiranë - Shteti duhet t’u kthejë ose t’u kompensojë familjeve që iu sekuestruan në kohën e diktaturës pasuritë e luajtshme. Ky ka qenë rekomandimi më i fundit që Avokati i Popullit i ka bërë kryeministrit Sali Berisha. Dobjani i ka sugjeruar kreut të qeverisë që të vërë në punë ministrin e Drejtësisë për të hartuar një ligj të posaçëm për kthimin ose kompensimin e pasurive të luajtshme. Në kuadër të konsolidimit të standardeve të mirëqeverisjes, Avokati i Popullit ka vijuar të ndjekë me vëmendje të veçantë zbatimin korrekt të legjislacionit nga organet e administratës shtetërore, por edhe përmbushjen e detyrimeve të tyre ligjore në hartimin dhe propozimin e akteve ligjore dhe nënligjore. Kjo veprimtari, sipas Dobjanit, është thelbësore për të zhvilluar dhe përsosur në nivele të larta frymën e ligjit dhe zbatimin e tij të plotë në të gjitha fushat dhe me të gjitha mjetet, duke pasur parasysh edhe detyrimet që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, që është nënshkruar nga vendi ynë dhe pritet të ratifikohet së shpejti nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Ankesat
Sipas Dobjanit, të njohësh dhe të trajtosh ish-pronarët sipas të drejtave të tyre, është së pari një detyrim që buron nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, si dhe një garanci themelore për rendin kushtetues të Republikës së Shqipërisë. Gjatë shqyrtimit të ankesave të paraqitura gjatë 8 viteve nga qytetarë të ndryshëm, në shumë raste është kërkuar nga ana e tyre që të kthehen apo të mundësohet kompensimi i sendeve të tyre të luajtshme, për të cilat në mjaft raste disponojnë dokumentacionin e sekuestrimit ose, në mungesë të tyre, u ishin drejtuar organeve gjyqësore për vërtetimin e faktit juridik të ekzistencës së një sendi të caktuar dhe më pas sekuestrimit të tij. “Në vazhdim të ndjekjes së këtyre çështjeve dhe në kuadër të mbrojtjes dhe përmbushjes brenda standardeve të të drejtave dhe interesave të ligjshme të ish-pronarëve, dëshirojmë t’ju bëjmë të ditur se Avokati i Popullit, pas studimit të Ligjit Nr. 9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, ka evidentuar faktin se ky akt paraqet ende mangësi të dukshme në rregullimin e marrëdhënieve dhe procedurave që duhet të ndiqen nga organet kompetente shtetërore për kthimin e pronave të sekuestruara në mënyrë të paligjshme ish-pronarëve”, - shkruhet në rekomandimin zyrtar të Dobjanit.
Mungesa e ligjit
Në Nenin 5 të Ligjit Nr. 9235, dt. 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, parashikohet se: “Kthimi dhe kompensimi i pronës së luajtshme kryhet me ligj të veçantë”. Sipas Avokatit të Popullit, dispozita e sipërcituar ka ngarkuar në mënyrë specifike detyrat që duhet të përmbushen nga organet shtetërore të specializuara për hartimin e një Ligji të posaçëm që do të bëjë rregullimin e këtyre marrëdhënieve juridike. Por, në realitet është vënë re se edhe pse ka katër vite që ka dalë Ligji i mësipërm, nuk konstatohen ende veprime konkrete administrative që të bëjnë fjalë për ndërmarrjen e iniciativave përkatëse në hartimin e një ligji të tillë. Kjo iniciativë duhet të përmbushet krahas të tjerash për të konkretizuar detyrimet e parashikuara në dispozitën e mësipërme, e cila ka qëllim themelor respektimin dhe përmbushjen nga strukturat shtetërore të të drejtave të ish-pronarëve.

Box
Korrespondenca me ministrin Alibeaj

Duke konstatuar një vakuum ligjor në legjislacionin tonë të brendshëm, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë marrjen e të gjitha masave për hartimin dhe propozimin sa më parë në Këshillin e Ministrave të projektligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave të luajtshme”. Në përgjigje të rekomandimit, ministri i Drejtësisë bën me dije se rekomandimi prek një sferë që ende nuk rregullohet me ligj të posaçëm dhe, si i tillë, nuk mund të shërbejë si burim të drejtash dhe garancish për shtetasit. Kjo përgjigje është në një kohë kur Avokati i Popullit ka konstatuar pikërisht një sferë që nuk ka gjetur akoma rregullimin e saj ligjor me një Ligj të posaçëm dhe për këtë rekomandohej iniciativa e Ministrisë së Drejtësisë për hartimin e një Ligji të tillë. Duke pasur parasysh konstatimet e përmendura më lart, Avokati i Popullit gjykon se do të ishte e domosdoshme ndërhyrja e kryeministrit pranë Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e këtij procesi brenda një kohe të shkurtër.

27 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›