E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, hapet Departamenti i Gjuhës Spanjolle



Tiranë - Hapet Departamenti i Gjuhës Spanjolle në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Tiranës (UT). Miratimi për çeljen e këtij departamenti është bërë nga Senati i UT-së, bazuar në një propozim të Këshillit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Pas konfirmimit nga Ministria e Arsimit, pritet që shumë shpejt të komandohet përgjegjësi për këtë degë nga dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, ku janë deri tani 6 degë të gjuhëve të huaja. Me çeljen e këtij departamenti, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të ofrojë mësimdhënie për shtatë gjuhë (anglisht, italisht, rusisht, turqisht, gjermanisht, frëngjisht dhe spanjisht). Sipas verifikimeve që ka kryer së fundi ky fakultet, vihet re një interes në rritje nga të rinjtë për të studiuar gjuhën spanjolle. Kjo gjuhë flitet në Spanjë, në Amerikën Qendrore, në të gjithë Amerikën Jugore, me përjashtim të Brazilit, nga rreth 500 milionë veta. Këtë vit akademik, 40 studentë kanë nisur të studiojnë gjuhën spanjolle pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.

Plehrat bashkëjetojnë me nxënësit e fshatit Gjashtë

Sarandë - Nxënësit e shkollës 9-vjeçare të fshatit Gjashtë, Sarandë, bashkë me fëmijët e kopshtit që janë në të njëjtën godinë janë të detyruar të qëndrojnë nën efektin epidemik të një grope të madhe mbeturinash që është krijuar në oborrin e shkollës. Situata është e njëjtë prej vitesh dhe askush nuk po merr masa për mbrojtjen e fëmijëve nga epidemia. Rreth 600 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Shefqet Sulejmani”, në fshatin Gjashtë të Sarandës, së bashku me 70 fëmijë të kopshtit, në të njëjtën godinë, jetojnë çdo ditë me këtë gropë mbeturinash, e cila u fal efektin epidemik. Mësohet pranë institucionit se plehrat kanë zënë vend këtu prej më shumë se 10 vitesh. Drejtori i shkollës, z. Kristaq Rexho, u shpreh me shqetësim për mediat se një realitet i tillë vjen nga indiferenca e pushtetit vendor. Me gjithë kërkesat e përsëritura që vijnë nga ata që bashkëjetojnë me plehrat, edhe pas tre vjetësh kjo gropë vazhdon të përdoret si kazani i madh i plehrave të fshatit, duke qenë në fakt një vatër e rrezikshme infeksioni për rreth 670 fëmijë e mësues.

Poliçan, fëmijët e “ngujuar” braktisin qendrën

Skrapar - Ashtu siç edhe u tha më parë në media, 22 fëmijët që mbaheshin në Qendrën Kombëtare të Ngujimit rrezikojnë të largohen nga Poliçani duke u rikthyer në shtëpitë e tyre e disa edhe në kullat e ngujimit. Burimet thanë se disa prej tyre u morën nga prindërit, ndërkohë qendra është thuajse e boshatisur dhe nuk dihet se ç’do të ndodhë më tej. 22 fëmijët janë mbledhur në zonat e Dukagjinit dhe prej 2006-s ata mbaheshin në këtë qendër sekrete jo vetëm për t’ua mbrojtur jetën nga gjakësi, por edhe për t’i ndihmuar në shkollimin e tyre. Mediat zbuluan një realitet tjetër kur vizituan ndërtesën që dikur ishte spital. Sipas burimeve, kushtet në të cilat mbaheshin fëmijët ishin tejet të vështira dhe madje ata ushqeheshin prej mëse një viti me ndihma dhe ushqime të marra me listë në qytezën e Poliçanit.

27 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›