Dobjani: Fëmijët jo në mitingje elektorale
TIRANE – Jo më mitingje elektorale në oborret e shkollave dhe jo më nxënës dhe mësues pjesëmarrës në to. Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i rekomandoi dje ministrit të Arsimit, Fatos Beja, nxjerrjen e një urdhri që të ndalojë përdorimin e shkollave dhe pjesëmarrjen e nxënësve dhe mësuesve në mitingje elektorale gjatë orarit të mësimit. Në rekomandim, i cili i është bërë me dije edhe kryeministrit Berisha thuhet se, “fëmijët nuk kanë pjekurinë intelektuale, mendore apo fizike njësoj si të rriturit, dhe shpesh as vetë ata nuk e kuptojnë qëllimin e këtyre organizimeve apo mitingjeve”. Gjithashtu, Dobjani përmendte rastet kur në tubimet politike gjuha e përdorur është e ashpër dhe konfliktuale. Sipas Avokatit të Popullit, ato janë në kundërshtim me edukimin shkollor, ku duhet të synojmë që të japim ndihmesën për t’u kultivuar atyre tolerancën, një frymë më të madhe mirëkuptimi dhe humanizmi. Rekomandimi i Dobjanit ka pasur si shkak faktin se në fushatat e mëparshme elektorale është vërejtur një pjesëmarrje aktive dhe masive e fëmijëve me nxitjen e të gjitha partive politike. ar.ba