E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: Berisha i frikësuar nga G99

 

Drejtuesi i G99, Erion Veliaj, ishte dje në zonën ku ishin rrëzuar tabelat e saj, ku përmes posterave kërkonte heqjen e taksës së votës. “Mbrëmë në mesnate, qeveria Berisha goditi sërish. Goditi në errësirë, në një ditë pushimi. Mbrëmë eskavatorë e fadroma, hodhën poshtë disa tabela, e cila nuk kërkonte asgjë më tepër se votën e lirë. Në Amerikë votimi është falas. Në Evropë votimi është falas. Në Shqipëri votimi nuk është falas. Shqiptarëve, e drejta e votës i taksohet nga Sali Berisha”, tha Veliaj. Sipas tij, ky urdhër i Berishës tregon se ai është frikësuar nga mesazhet që përcjell G99. “Lajmi i mirë i kësaj historie, është që zoti Berisha ka frikë dhe ndihet i shqetësuar nga mesazhi ynë. Nëse mesazhi ynë do të ishte i gabuar ai s’kishte pse të shqetësohej dhe ta hiqte. Mesazhi ynë ka qenë dhe është i drejtë”, tha Veliaj. Drejtuesi i G99 tha se e njëjta kompani ka vendosur posterat e Sali Berishës gjatë fushatës së 2005. “Kjo është e njëjta kompani që ka punuar në fushatën e zotit Berisha kur ai kandidonte me duart të pastra. Kur kjo kompani publikonte fytyrën e tij, zoti Berisha dërgonte falënderime dhe mirënjohje ndërkohë që sot që ato mbajnë një mesazh kundër tij ai përgjigjet duke i shkatërruar”, tha Veliaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›