Aplikimi në BE, Berisha në Çeki edhe me zyrtarë të KE
BLEDAR HOTI
Kryeministri Sali Berisha do t’i dorëzojë sot, në orën 12:00, aplikimin për statusin e kandidatit në BE. Kërkesa do të jetë zyrtare pas takimit “kokë me kokë” mes kryeministrit Berisha dhe homologut çek Mirek Topolánek. Sipas burimeve pranë Qeverisë, mësohet se një takim të veçantë do të ketë ndërmjet dy kryeministrave për të diskutuar edhe për dorëzimin e kërkesës zyrtare. Sipas axhendës, pas takimi “tet a tet”, dy delegacionet, shqiptarë dhe ai çek, në orën 11:20 do të ulen në tryezën e përbashkët të bisedimeve, ku i ftuari i posaçëm është edhe Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në BE, Michael Leigh. Më pas në orën 11:50, të tre zyrtarët, kryeministri çek, shqiptar dhe drejtori i KE-së për zgjerimin e BE-së, do të dalin në konferencën për shtyp për median, për të bërë publike arsyen e takimit. Pikërisht në këtë konferencë, Kryeministri Berisha do të bëjë dorëzimin e Aplikimit për anëtarësim në BE, homologut çek, Topolánek. Pas kësaj konference, për nder të delegacionit shqiptar do të shtrohet një drekë në Pallatin Hrzánský, Gobelin. Më pas kryeministri me delegacionin që e shoqëron do të vendosin kurora Pod Emauzy Square. Ndërsa është parashikuar që në këtë axhendë të ngjeshur të realizohet dhe një vizitë në kështjellën e Pragës. Në këtë vizitë zyrtare kryeministri do të ketë edhe takime kortezie me Presidentin Vaslav Klaus, si dhe me zëvendëspresidentin e Senatit të Parlamentit, Jiøí Liška. Kryeministri shqiptar do të ketë edhe një takim me kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Çekisë, Miloslav Vlèek.
Ditën e dielë, kryeministri në mbledhjen e qeverisë bëri publike vendimin për të paraqitur zyrtarisht kërkesën për aplikim për statusin e kandidatit në BE. Në letrën zyrtare drejtuar kryeministrit Topolanek shkruhet se “Shkëlqesia Juaj, zoti President! Në emër të Republikës së Shqipërisë, në vijim të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të datës 29 janar 2009, mbështetur në aspiratën dhe vullnetin mbizotërues të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, kemi nderin që, në përputhje me nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, të paraqesim aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Përfitojmë nga rasti për t’i ripërsëritur Shkëlqesisë Suaj sigurimet e konsideratës sonë më të lartë”. Duke vlerësuar reformat, kryeministri ka falënderuar edhe opozitën për mbështetjen që ka dhënë në realizimin e kësaj ëndrre afro 20 vjeçare për shqiptarët. “Dua të falënderoj opozitën për reformat që ka votuar në parlament dhe dua ta siguroj atë se ky akt nuk është elektoral, se ky akt është në zbatim të rezolutës që kemi votuar bashkërisht në parlament dhe se ky akt është interesi më i mirë i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Ky akt është themelor të programin politik të të gjitha forcave politike serioze të vendit”, deklaroi Berisha. Pas kësaj vizite në Çeki, sipas burimeve pranë Kryeministrisë, mësohet se Berisha do të udhëtojë për në Poloni për të marrë pjesë në takimin e Partive Popullore. Në këtë eveniment pritet të takohet me kryeministrin e Italisë, Silvio Berluskoni, kancelarin Angela Merkel, si dhe me drejtues të shteteve të tjera, të cilët janë përfaqësues të partive të djathta.
delegacioni
Pala shqiptare
Sali Berisha
Lulzim Basha
Majlinda Bregu
Qazim Tepshi
Mimoza Halimi
Arben Imami
Juela Meçani
Pala çeke
Mirek Topolánek
Markéta Fialková
Tomáš Pojar
Adéla Kadlecová
Jiøí František Potužník
Përfaqësuesi i BE
Michael Leigh