Leskaj: Aplikimin në BE e kërkuam në shtator
Partia Socialiste e ka cilësuar të vonuar aplikimin e për statusin e vendit kandidat në BE. Kryetarja e grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj tha dje se ky vendim ka lidhje me fushatën zgjedhore, ndërkohë që PS e kishte kërkuar që në shtatorin e vitit të kaluar. “Më në fund Sali Berisha ka bërë atë çka ne kemi sugjeruar e kërkuar, që nga muaji shtator i vitit të kaluar. Është vonë po më mirë vonë se kurrë. Në fakt ai bëri nëntë muaj me vonesë, atë që duhet ta kishte bërë më parë pa pritur fushatën elektorale”, tha Leskaj. Kryetarja e grupit parlamentar socialist i kujtoi Kryeministrit Berisha se pikat themelore për integrimin e Shqipërisë mbetej realizimi i zgjedhjeve sipas standardeve dhe të lira dhe të ndershme. “Qeveria duhet të ofrojë gjitha garancitë për procesin duke filluar nga dokumenti i identifikimit, kartat e identitetit dhe gjithë elementët e tjerë”, u shpreh ajo. Në emër të PS-së Leskaj garantoi se pas fitores së 28 qershorit, qeveria e re e cila ka në themel të programit të saj integrimin e vendit, do marrë të gjitha masat dhe do ketë angazhimin maksimal për ta bërë vendin tonë anëtar të BE duke plotësuar ëndrrën 18-vjeçare për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Kryeministri Berisha udhëton sot drejt Pragës për të dorëzuar kërkesën për aplikim për statusin e vendit kandidat për në BE.