Meta: Do dyfishojmë investimet në bujqësi
Kryetari i LSI, Ilir Meta bëri një vizitë në Komunën e Kasharit, në një vreshtari sipërmarrje private e një fermeri. Meta duke folur për programin e LSI-së për bujqësinë dhe fshatin tha se “plani i LSI për bujqësinë, është një plan që mbështetet në treguesit ekonomikë të vendit dhe që në buxhetin për vitin e ardhshëm, që do të miratohet në vitin 2010, do të jetë planifikuar dyfishimi i investimeve për bujqësinë”. “Ne kemi një plan të qartë për të subvencionuar 25-50 për qind të çmimit të farërave, të plehrave kimike dhe pesticideve, të mekanikës dhe të përpunimit të tokës. Së dyti, për të subvencionuar 20 për qind të prodhimit dhe kjo është e rëndësishme për të lehtësuar kostot dhe shpenzimet tuaja dhe për të mbështetur në mënyrë të veçantë përpunimin e këtyre produkteve bujqësore dhe blegtorale në vend, duke realizuar dy mbështetje të rëndësishme. Ne jemi të vendosur të krijojmë një fond shtetëror në bashkëpunim me bankat për kreditimin e bujqësisë dhe veçanërisht në agropërpunim”, u shpreh Meta. Gjithashtu, LSI është e vendosur të krijojë një fond për të mbështetur investimet, për sa i takon qendrave të grumbullimit, qendrave të agropërpunimit dhe gjithë infrastrukturës së domosdoshme, që të krijohet ai zinxhiri i domosdoshëm agraro- industrial”.