E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Qarkullimit, për një muaj 67 mijë gjoba ndaj kundërvajtësve

TIRANË - Një sërë masash administrative (gjoba) janë marrë në shkallë vendi gjatë muajit shkurt 2008 nga shërbimet e Policisë Rrugore ndaj drejtuesve të mjeteve për shkelje të ndryshme të legjislacionit rrugor, si ecje me shpejtësi tej normave të lejuara, parakalime të gabuara, mospërdorim të rripit të sigurimit etj. Sipas drejtuesve të Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, numri i gjobave të vendosura vetëm në muajin shkurt të këtij viti shkon në 67 611, me një vlerë prej 55 312 770 lekë. Nga këto janë vjelë 35 303 gjoba, në vlerën e 46 235 540 lekëve. Nga shërbimet e Policisë Rrugore janë bllokuar 955 mjete për kundërvajtje të ndryshme si dhe janë pezulluar 739 leje drejtimi, ndërkohë që nga ana e Komisionit përkatës janë marrë 1 225 vendime. Numrin më të lartë të penalizimeve e mbajnë ata drejtues mjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si ecje me shpejtësi tej normave të lejuara, parakalime të gabuara, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe rripit të sigurimit etj. Në shkallë vendi gjatë muajit që lamë pas ndodhën 73 aksidente rrugore, ku u përfshinë 87 persona. Shërbimet e Policisë Rrugore në veprimtarinë e tyre janë përqendruar në menaxhimin sa më të mirë të trafikut në të gjitha akset dhe segmentet rrugore, me synim për të patur një lëvizje normale të automjeteve, parandalimin e aksidenteve automobilistike, duke rritur kontrollin në rrugë për zbatimin e legjislacionit rrugor dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve rrugore që janë burim kryesor i aksidenteve. Ndërsa në kryeqytet, i cili përballon edhe fluksin më të madh, nga shërbimet e Policisë Rrugore është ndjekur dhe ndërhyrë me efikasitet për normalizimin e trafikut, nëpërmjet marrjes së informacionit ditor nga shërbimet që operojnë në terren, si rezultat i të cilave çdo gjë që ndodh raportohet në mënyrë të menjëhershme etj. Ndërkohë që, për rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, shmangien në maksimumin e mundshëm të çdo forme abuzimi, brenda 6-mujorit të dytë të këtij viti, do të vendosen radarë dixhitalë. Radarët do të jenë jo stacionarë, por të lëvizshëm dhe përdorimi i tyre do të shmangte çdo abuzim, pasi në mënyrë automatike ata bëjnë identifikimin e kundërvajtësve.

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›