E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: Hetim pa përjashtim të gjithë rasteve të torturës

• TIRANE - Aplikimi në vendin tonë i Protokollit Opsional Kundër Torturës mblodhi dje në një tryezë të rrumbullakët të organizuar ngaQendra Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, përfaqësues të Avokatit të Popullit, ambasadës daneze, Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit të Ligjeve. Ardian Kati, kreu i QSHRT, në fjalën e tij hapëse të takimit pohoi se Protokolli Opsional, i njohur rëndom si OPCAT, është miratuar që nga viti 2004 nga qeveria shqiptare, por nuk ka gjetur ende zbatim. Ndërsa Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, pohoi se institucionit të tij duhet t’i besohej marrja përsipër e mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës. Kjo, sipas tij, do të shërbejë për të hetuar pa përjashtim gjithë rastet e torturës, për të inspektuar më në gjerësi dhe thellësi gjithë burgjet, dhomat e paraburgimit etj., dhe sidomos për të organizuar dhe zhvilluar më tepër veprimtarinë parandaluese. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Enkeljed Alibeaj pohoi se aplikimi në praktikë i OPCAT-it kërkonte ndryshime ligjore, të cilat janë në projekt për t’u bërë. Më tej edhe ambasadori danez Niels Severin Munk dhe Arjan Madhi, anëtar i Komisionit të Ligjeve përshëndetën takimin. Më pas të pranishmit në takimin e djeshëm diskutuan për situatën reale të torturës në vendin tonë. Shqipëria aderon që nga viti 1993 në Konventën Kundër Torturës dhe Trajtimit ose Dënimit të Egër, Çnjerëzor ose Poshtërues. Kjo konventë është ratifikuar pa rezerva, duke pranuar edhe detyrimet e parashikuara në të. Ndërkohë, Protokolli Opsional i Konventës, i miratuar në Sesionin e 15-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në 2002 është nënshkruar nga shteti shqiptar në vitin 2004. Ky protokoll, duke afirmuar edhe një herë se liria nga tortura është një e drejtë që duhet të mbrohet në të gjitha rrethanat, synon zbatimin e instrumenteve mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ky protokoll parashikon ngritjen e disa mekanizmave të reja të kontrollit ndaj fenomenit të torturës. Në këtë kuadër, çdo shtet palë detyrohet për të ngritur një ose disa mekanizma të pavarur kombëtar, parandalues, të cilët do të vëzhgojnë rregullisht ambientet dhe trajtimin e individëve që iu është hequr ose mund t’iu hiqet liria me anë të një vendimi të dhënë nga një organ publik.            fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›