E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedofilët, britanikët e parë që ekstradohen në Tiranë

• Dy personat e akuzuar për pedofili dhe abuzime seksuale me gjashtë jetimë shqiptarë e pritën dje qetësisht vendimin e Gjykatës së Londrës, e cila lejoi ekstradimin e tyre në Tiranë.Trazhgim SokolajGjykatësi britanik Anthony Evans shpalli vendimin në favor të Shqipërisë për të ekstraduar në Tiranë të akuzuarit për pedofili Robin Arnold dhe Dino Christodoulou. Është hera e parë që një gjykatë angleze lejon ekstradimin e shtetasve britanikë në drejtim të Shqipërisë. Një vit më parë, Prokuroria e Tiranës u kërkoi autoriteteve britanike ekstradimin e dy të pandehurve në Tiranë. Akuza kërkoi që të pandehurit të ishin të pranishëm gjatë gjykimit në procesin e hapur ndaj tyre për pedofili dhe abuzime seksuale, me të paktën gjashtë jetimë të mitur. Në të njëjtën dosje ndodhet i pandehur edhe David Brown, i cili menaxhonte jetimoren “Fëmijët e tij”, ku mbaheshin fëmijët e abuzuar seksualisht. Avokatët e dy personave të arrestuar në Londër thanë dje se do ta apelojnë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë e cila u shpreh pro ekstradimit të klientëve të tyre në Tiranë. Në fakt procesi që po zhvillohej në Londër është shtyrë disa herë prej muajsh për shkak të kërkesave të ndryshme që kanë paraqitur avokatët e të akuzuarve në gjykatë. Prokuroria e Tiranës në mars të vitit të kaluar, pasi u njoftua se të akuzuarit ishin arrestuar në Angli, kërkoi menjëherë që ata të mbaheshin në gjendje arresti dhe më pas të ekstradoheshin në Tiranë për shkak të akuzave të rënda të ngritura ndaj tyre. Në fashikullin hetimor që ndodhet në Gjykatën e Tiranës, ndodhen rrëfime rrëqethëse të pesë fëmijëve që tregojnë abuzimet seksuale të kryera ndaj tyre. Në prani të psikologut fëmijët e mitur kanë treguar gjithçka nga abuzimet seksuale të kryera ndaj tyre. Ata tregojnë se veprimet e tre personave të akuzuar për skandalin në shumicën e rasteve janë kryer përmes detyrimit dhe ushtrimit të dhunës, duke shkaktuar dëmtime në organet jetësore të fëmijëve jetimë që mbaheshin në qendrën “Fëmijët e tij” në Tiranë. Në dosje ndodhet edhe denoncimi i një shtetaseje të huaj, e cila fillimisht kishte qenë bashkëaksionere me David Brown kur ishte hapur qendra e strehimit dhe mbajtjes së fëmijëve jetimë. Ato shumë shpejt kishte marrë dijeni për abuzimet seksuale me fëmijët dhe menjëherë ishte tërhequr nga financimi i jetimores, kurse më vonë kishte denoncuar skandalin në polici. Pas denoncimit policia dhe Prokuroria shqiptare fillua hetimet. Ekspertizat provuan abuzimet seksuale me fëmijët ndërsa për këtë, u ngrit akuzë ndaj tre britanikëve Dino Christodoulou dhe Robin Arnold, që u arratisën nga Shqipëria para arrestimit dhe David Broën, i cili ra në pranga dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në Tiranë. Të akuzuarit pritet të përballen në Gjykatën e Tiranës me pesë fëmijët ndaj të cilëve kanë kryer abuzime. Ata janë thirrur nga Prokuroria si dëshmitarë në procesin gjyqësor ndërsa aktualisht mbahen në një qendër rehabilitimi në Tiranë. Procesi gjyqësor aktualisht është pezulluar pasi Gjykata e Tiranës ishte në pritje të vendimit të gjykatës britanike për ekstradimin e dy të akuzuarve për pedofili dhe abuzime të tjera seksuale, të cilat janë kryer gjatë një harku kohor 2-vjeçar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›