E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: “Ndryshimet që duhen bërë në ligjin për faljen e të dënuarve”



Laureta Rryçi

Tiranë - Dhjetëra ankesa nga të dënuarit e kanë detyruar Avokatin e Popullit t’i kërkojnë kryeministrit Sali Berisha që qeveria e tij duhet të ndërmarrë një nismë ligjore për të ndryshuar ligjin “Për faljen”. Burime pranë zyrës së Avokatit të Popullit shpjeguan dje se kreu i këtij institucionit, përveç kërkesës i ka sërvirur Ministrit të Drejtësisë edhe disa nga ndryshimet që duhen bërë në këtë ligj duke dhënë propozime konkrete. Sipas Ermir Dobjanit në ligjin për faljen nuk duhen ndryshuar vetëm kriteret për të dënuarit që duhet të përfitojnë por edhe institucionet të cilat duhet të bëjnë propozime.
Rekomandimi
Pranë institucionit të Avokatit të Popullit vitin e fundit janë shtuar shume kërkesat për falje nga të burgosurit qe vuajnë dënimin për vepra te ndryshme penale në burgjet shqiptare. Objekti i këtyre kërkesave është që institucioni i Avokatit të Popullit të bëjë propozim për secilin prej tyre pranë Presidencës për faljen e pjesshme apo të plotë të pjesës së mbetur të dënimit të tyre. “Avokati i Popullit mendon se ky ligj kërkon një ndryshim tërësor dhe cilësor për vetë rëndësinë që ai paraqet. Miratimi i një ligji të ri bashkëkohor do te ishte një hap i rëndësishëm, sidomos për të siguruar transparencën e duhur nga autoritetet përkatëse, për të mos i lënë vend edhe komenteve abuzive të përdorura vitet e fundit”, thuhet në rekomandimin zyrtar.
Ndryshimet
Sipas Dobjanit ligji për faljen nuk është i plotë dhe shpesh herë lë vend për interpretime të ndryshme që mund të kthehen në fenomene abuzimi. Sipas Dobjanit subjektet që kanë të drejtë të bëjnë propozimin duhet të përcaktohen konkretisht dhe shprehimisht, duke pasur parasysh ato autoritete të cilat janë më afër halleve të popullit dhe që njohin më nga afër gjendjen ekonomiko-shoqërore të të dënuarve apo familjeve te tyre. Te tillë janë: Kryetarët e Bashkive dhe Komunave ku ka vendbanimin i dënuari, deputeti i zonës elektorale, Avokati i Popullit, organizatat joqeveritare në mbrojtje të të drejtave te njeriut qe ushtrojnë aktivitet human dhe jofitimprurës, shërbimi i provës etj. Se dyti, kriteret që duhet të plotësojë një i dënuar për të pasur të drejtën e faljes pjesërisht apo tërësisht. “Ne mendojmë se veç llojit të veprës penale, për faljen e një të dënuari duhen pasur parasysh edhe profili i tij personal si koha dhe mënyra e kryerjes se veprës, mosha, gjendja shëndetësore e tij, koha e mbetur e dënimit, gjinia e tij, marrëdhëniet me të dëmtuarin ose familjen e tij, sjellja e tij në vendin e vuajtjes së dënimit, rrethanat familjare, integrimi i tij etj”, thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit. Së treti, dokumentacioni që duhet të plotësojë organi i cili ka të drejtën e propozimit të faljes. Ky dokumentacion duhet të përmbajë kërkesën e të dënuarit ose familjarëve të tij, certifikatë personale, e cila përcakton identitetin e tij, certifikatën familjare, e cila përcakton numrin e personave te familjes, dhe gjendjen e tyre ekonomike, vendimin e gjykatës se formës se prere, dëshminë e penalitetit, dhe ne fund t’i bashkëngjitet propozimi qe behet nga autoriteti i përcaktuar me ligj. Dërgimi i kësaj praktike duhet të përcaktohet qe te bëhet zyrtarisht nga organi propozues gjë që do të formalizonte përfundimisht këtë proces. Aktualisht pas përgatitjes se materialit nga ana e zyrës përkatëse ne institucionin e Presidencës, është zgjedhje e kreut te Shtetit se kur dhe si e ushtron këtë të drejtë. Kjo sipas Dobjanit krijon një vonesë në përgjigjen zyrtare që ky institucion duhet të japë për miratim ose jo të propozimit. Për këtë arsye, Avokati i Popullit kërkon që të vendoset një afat kohor i arsyeshëm për dhënien e një përgjigje jo më shumë se gjashtë muaj nga data e aplikimit.

16 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›