Përfshihet nga flakët automjeti, dyshohet për defekt në impiantin e gazit
Durrës – Në automjet u përfshi nga flakët dje në mesditë në Durrës, informuan për gazetën burime nga policia e qytetit bregdetar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:50 në lagjen nr. 17, tek Unaza e Re. Automjeti tip Fuoristradë me targë DR 27 14 E prone e Iliaz Pezati, banues në lagjen nr. 4 Durrës, u përfshi papritur nga flakët. Në vendngjarje shkuan forca policore dhe nga hetimet e para dyshohet se zjarri që dogji tërësisht pjesën e përparme të makinës duke u zgjeruar edhe më tej, erdhi si pasojë e një defekti në impiantin e gazit. Policia tha se ka pasur rrjedhje gazi dhe për pasojë makina ka marrë flakë. Gjithsesi, policia tha se po i vazhdon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Traktori pa targë del nga rruga, vdes një person, një gjendje të rëndë drejtuesi
Ersekë – Një ngjarje e rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në një rrugë këmbësore në vendin e quajtur kthesa e fshatit Luaras të Ersekës, kur një traktor pa targa pasi ka dalë nga rruga, ka aksidentuar për vdekje një person dhe ka dëmtuar rëndë drejtuesin e tij. Sipas të dhënave policore ka qenë 36-vjeçari Landi Beqo, banues i këtij fshati, i cili duke drejtuar mjetin e tij traktor pa targa, ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka aksidentuar për vdekje 49-vjeçarin Behar Tare, banues në Luaras. Por mësohet se edhe vetë drejtuesi i mjetit është plagosur gjatë këtij aksidenti dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Korçës në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Ndërkaq, një aksident tjetër është shënuar në rrugën Slatinë-Proptisht të Pogradecit ku Murat Isufi, aktualisht emigrant në Greqi, duke drejtuar mjetin tip Mazda me targë PMN 6262 ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Për pasojë, është dëmtuar 58-vjeçari Hetem Alla, i cili udhëtonte si pasagjer në mjet dhe aktualisht ndodhet në spitalin rajonal të Elbasanit jashtë rrezikut për jetën.
16 Prill 2009