E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, sa rritet masa e përfitimit për 800 mijë familje nga 1 maji

Llogaritja, sa do të shkojnë pensionet maksimale dhe minimale në qytet dhe fshat. Në skemën e rritjes do të përfshihen edhe përfituesit e pensionit familjar dhe invaliditetit

Jonida Tashi

Rritja e pensioneve që do të zbatohet në muajin maj, parashikohet që t’i shtojë mesatarisht 1 mijë lekë çdo përfituesi të pagesës së pleqërisë. Rreth 800 mijë familje në të gjithë vendin parashikohet që të përfitojnë nga shtesa e re e pensioneve. Ndonëse publikisht kreu i qeverisë, Sali Berisha po trumbeton pothuajse çdo ditë për rritjen e pagesës së pleqërisë, ende deklarata e kryeministrit nuk ka marrë formën e vendimit nga Këshilli i Ministrave. Fill pas marrjes së këtij vendimi, specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Tiranë, do të nisin përllogaritjen konkrete të rritjes së pensioneve sipas kategorive.
Kategorizimi
Ekspertët e ISSH-së sqarojnë se brenda skemës së rritjes do të ketë disa kategorizime, të cilat do të përcaktohen në varësi të vendimit të qeverisë. Pritet që qeveria ta miratojë këtë vendim në mbledhjen e javës së ardhshme, për ti lënë pak ditë kohë specialistëve të sigurimeve shoqërore që të bëjnë llogaritjet reale të rritjes, në mënyrë që premtimi i qeverisë të realizohet në datën e paracaktuar, që është 1 maj. Premtimi për rritjen e pensioneve në maj është bërë nga kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili vazhdimisht ka deklaruar se pensionistët do të përfitojnë një rritje prej 10 për qind për pensionet e qytetit dhe 20 për qind për ata të fshatit. Fill pas deklaratës së bërë nga kreu i qeverisë, specialistët e ISSH-së kanë bërë llogaritjet paraprake se sa do të rriten konkretisht pensionet nga shtesa e re.
Përfituesit
Fill pas deklaratës së bërë nga kreu i qeverisë, specialistët e ISSH-së kanë bërë llogaritjet paraprake se sa do të rriten konkretisht pensionet nga shtesa e re.
Sipas tyre, në rritjen e re të pensioneve parashikohet që të përfshihen jo vetëm pensionistët që marrin pension pleqërie, por edhe përfituesit e pensionit familjar dhe invaliditetit, si në qytet ashtu dhe në fshat.
Pensionet në qytet
Sipas skemës së re të rritjes, pensioni i plotë minimal i qytetit do të rritet 10 për qind, ose në masën 951 lekë në muaj, duke përfshirë këtu edhe kompensimet kjo masë pritet të arrijë në nivelin 12 226 lekë. Në të njëjtën përqindje do të rriten edhe pensionet e plota maksimale të qytetit. Por, këta pensionistë që marrin këtë lloj pensioni do të përfitojnë një rritje akoma edhe më të madhe, pavarësisht se përqindja është e njëjtë. Kështu, sipas llogaritjeve paraprake, një pensionist që trajtohet me pension maksimal qyteti do të marrë një shtesë prej 1900 lekësh në muaj dhe si pasojë të ardhurat mujore kapin nivelin e 21433 lekësh. Ndërkohë, ashtu siç është vepruar edhe gjatë viteve të kaluara, pritet që kjo rritje të mos cenojë kompensimet e ndryshme që përfitojnë pensionistët. Specialistët e ISSH-së sqarojnë se të gjithë pensionistët pa përjashtim, përveç rritjes së re të vitit 2008 do të vazhdojnë të përfitojnë edhe kompensimet e përfituara me vendime të veçanta të qeverisë.

Pensionet në fshat

Sipas kësaj skeme rritjeje, do të procedohet edhe për pensionet e fshatit. Kjo kategori pensionistësh do të përfitojë një rritje në masën 20 për qind. Kjo shifër e përkthyer në vlerë monetare do të thotë një rritje prej 1040 lekësh në muaj duke filluar nga muaji maj. Kështu, pas kësaj rritjeje pensioni i plotë i pleqërisë në fshat do të arrijë në masën 6240 lekë në muaj. Ndërsa të ardhurat mujore të pensionistëve të fshatit, që kanë pensione të plota mbas kësaj rritjeje pritet të arrijnë nga 6240 lekë në 7130 lekë në muaj. Sipas ekspertëve të ISSH-së, rritja e pensioneve është bërë për të minimizuar efektet negative nga rritja e çmimeve. Pothuajse në çdo muaj korrik, qeveria ka aplikuar skemën e rritjes së pagave dhe pensioneve, por vetëm gjatë këtij viti kjo datë ka ndryshuar dhe është vendosur që të bëhet në muajin maj. Rritja e pensioneve përveç shtimit të të ardhurave personale të vetë pensionistëve, ka si qëllim që t’i jepet një hapësirë të gjitha kategorive të pensioneve për t’u rritur, në mënyrë që të mos ulet interesi për kontributet e pensioneve të diferencuara. Sipas specialistëve të pensioneve, këto rritje kanë si qëllim që ta bëjnë sa më tërheqëse skemën e sigurimeve shoqërore si dhe të shtojnë sa më shumë të ardhurat mujore të pensionistëve. Aktualisht, pensioni i plotë minimal i pleqërisë është 9515 lekë në muaj. Ndërkohë që pensioni maksimal në qytet kapërcen dyfishin e pensionit bazë, pra jo më shumë se 19030 në muaj.

Rritja e re sipas kategorive:

Të ardhurat minimale për pensionin e plotë të qytetit:
Ishte
9515 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 11275 lekë
Bëhet
10466 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 12226 lekë

Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit:
Ishte
19030 lekë + 350 + 150 = 19530 lekë
Bëhet
20933 leke + 350 + 150 = 21433 lekë

Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:
Ishte
5200 + 200 + 690 = 6090 lekë
Bëhet
6240 + 200 + 690 = 7139 lekë

16 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›