MSH, gati baza ligjore për rimbursimin e shërbimeve edhe në privat
Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë po përgatit bazën ligjore për shtrirjen e rimbursimeve edhe në sektorin privat. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje do të lehtësonte xhepat e pacientëve dhe do të kishte më tepër mundësi për marrjen e shërbimeve më të kualifikuara dhe më të lira për ta. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, u shpreh se aktualisht po punohet në këtë drejtim, për krijimin e infrastrukturës ligjore të nevojshme për të ndërmarrë këtë hap. Aktualisht, të gjithë personat e siguruar përfitojnë ekzaminimet unikale terciare në shërbimin shëndetësor publik me rimbursim në masën 90 %. Ndërkohë, këto shërbime shëndetësore nuk përfitohen me këto lehtësira në spitalet private. Kështu, reformat që kanë nisur të kryhen në sistemin shëndetësor shtetëror do të prekin edhe atë privat. Por në këtë rast shtrirja e reformave do të jetë me një afat më të gjatë.
Privati
Sektori shëndetësor privat në vendin tonë aktualisht është më i preferuari dhe më i kushtueshmi për pacientët. Klinikat private ofrojnë shërbime më të shpejta dhe cilësore kundrejt tarifave fikse. Njëkohësisht, në këto klinika nuk mungon asgjë dhe shërbimet ofrohen në një kohë të shpejtë. Sipas projektit për shkrirjen e skemës edhe në privat, përfituesit do të jenë edhe pacientët, edhe klinikat. Por, kur të vendoset të ndodhë kjo reformë, klinikat private do të përzgjidhen nga specialist e MSH-së, sipas kritereve të përcaktuara me ligj. Ndërkohë që shtrirja e skemës edhe te privati kërkon një afat të gjatë kohor, pasi në janar nis shtrirja e skemës së sigurimeve shëndetësore në sektorin shtetëror.
Ekzaminimet
Pacientët përfitojnë një numër të caktuar shërbimesh falas apo me një pagesë tepër të ulët nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shëndetësore. Për 12 ekzaminime të shtrenjta ISKSH-ja u siguron që të paguajnë një tarifë tepër të ulët, në varësi të tarifave reale. Kështu, nga 12 ekzaminimet e shtrenjta pacienti duhet të paguajë vetëm 10 për qind të vlerës reale. Pra, nëse një vizitë për kryerjen e koronografisë kushton 40.000 lekë, atëherë pacienti duhet të paguajë vetëm 10 për qind të kësaj vlere. Njëkohësisht, falas përfitohen shërbimet si shërbimin e mjekut të familjes apo shërbimin farmaceutik. Por duke qenë i siguruar futesh në të gjithë sistemin e shërbimeve shëndetësore dhe përfiton, vizitën falas tek mjeku i përgjithshëm (MP/MF), të drejtën e zgjedhjes MP/MF, si mjek personal vizitën në banesë, kur gjendja e të siguruarit nuk lejon paraqitjen në ambulance,
recetën e rimbursuar nga MP/MF, të drejtën e vizitës pa pagesë tek mjeku specialist (MS) i shërbimit ambulator etj. Në ekzaminimet e shtrenjta, përfshihen rezonanca magnetike pa kontrast, kostoja reale e të cilës është 20.000 lekë, rezonanca magnetike me kontrast, me vlerë reale 35.000 lekë, CT Scann, 12.500 lekë, CT Scann koke, kolonë me kontrast, 12.500 lekë, etj.
Studimi demografik shëndetësor, përfundon më 18 prill
Specialistët e ISHP-së bëjnë të ditur se studimi demografik shëndetësor pritet të mbarojë në 18 prill. Tashmë pritet të përfundojë faza e parë e Studimit Demografik Shëndetësor me mbledhjen e të dhënave në terren, ndërsa po punohet në tre rrethet e fundit, në Tropojë, Kukës dhe Dibër për mbledhjen e të dhënave në familjet e përfshira në studim. Për pak kohë, për herë të parë vendi do të ketë të dhëna të plota për demografinë e popullsisë dhe të dhënat shëndetësore për çdo zonë. Qeveria shqiptare me ndihmën e USAID Albania dhe partnerë të tjerë, po realizojnë prej muajit nëntor 2008, “vëzhgimin demografik dhe shëndetësor”, i cili është i pari i këtij lloji për vendin tonë. Kështu, tashmë do të mund të dimë se sa është numri real i emigrantëve, si është niveli i arsimimit, punësimit etj. Përsa u takon të dhënave shëndetësore në vëzhgim po kampionohen banorët për nivelin e ushqyerjes, gjatësisë, peshës, tensionit arterial, dhe aksesit në shërbimet shëndetësore. Duke u nisur nga situata aktuale, standardet e sistemit shëndetësor në Shqipëri, janë një pengesë për anëtarësimin e vendit në BE. Në këtë studim demografik dhe shëndetësor, do të përfshihen 9 mijë familje në të gjithë vendin, dhe grupmosha e të anketuarve do të jetë mes 14 dhe 49- vjeçarëve. Intervistuesit përdorin sistem të kompjuterizuar për regjistrimin e të dhënave (PDA), një metodë e re e përdorur vetëm në pak studime të tjera në botë. Për studimin po punohet me 12 grupe në të gjithë vendin. Nëpërmjet tij, synohet të merret informacion për gjendjen shëndetësore të popullatës, aksesin në shërbimin shëndetësor, vaksinimin, vdekshmërinë, planifikimin familjar, ndërsa përfshihen dhe pyetje mbi cilësinë e shërbimit shëndetësor që ofrohet, dhunën në familje, duke përfshirë këtu dhe këndvështrimin gjinor.
Studimi demografik shëndetësor shqiptar, i cilësuar projekt ambicioz në fushën e shëndetit publik, do të ofrojë të dhëna të përditësuara për karakteristikat e familjeve, popullatës, migrimin, arsimimin, lindshmërinë, vdekshmërinë foshnjore, shëndetin e nënës dhe fëmijës, sjelljet seksuale, të dhëna mbi HIV/AIDS dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme, ushqyerjen me gji, si dhe dhunën në familje. Kjo mënyrë studimi, e cila aplikohet nga 120 vende të botës shërben si një metodë shumë e mirë për vjeljen e informacionit, i cili do të ndikojë direkt në cilësinë e shërbimit ndaj popullatës. Të dhënat e tij do të shërbejnë për vitet që vijnë për agjenci të ndryshme, shtetërore dhe joqeveritare për procesin e planifikimit dhe monitorimit të politikave. Studimi pritet të përmirësojë bazën e të dhënave për gratë dhe fëmijët dhe të ofrojë të dhëna për vendimmarrësit për hartimin e politikave dhe planifikimin e tyre. Të dhënat e tij do të jenë të rëndësishme gjithashtu për ata që duan të kuptojnë situatën aktuale, të përshtatin politikat dhe të planifikojnë ndërhyrjen për përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës.
16 Prill 2009