E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për një vajzë, vritet me thikë 25-vjecari, arrestohet autori



KORÇË – Arrestohet pas 17 orësh kërkime autori i vrasjes së 25-vjeçarit Elis Spaho. Ai është identifikuar si Erjon Pepellashi, 24 vjeç nga Korça. Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesnate ku mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë. Policia e Korçës pas shumë orë kërkimesh ka mundur të zbulojë vendndodhjen e Pepellashit, i cili strehohej në një fshat të Korçës nga të afërmit e tij. Pepellashi akuzohet nga policia për kryerje të vrasjes me vetëdije.
Ngjarja
Një 25-vjeçar është vrarë me thikë pas një grindjeje në një lokal në qytetin e Korçës, ndërsa policia ka identifikuar autorin e krimit. “Molla e sherrit” mes dy meshkujve, dyshohet të jetë një vajzë, duke vërtetuar kështu thënien e vjetër të Napolonit, se njerëzit ende qëllojnë dhe vrasin në emër të dashurisë. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate në qytetin e Korçës brenda një lokali pranë Universitetit “Fan Noli”. Burime nga policia e këtij rrethi bëjnë të ditur se dy të rinj, njëri prej tyre i quajtur Elis Spaho dhe tjetri Erjon Pepellashi kanë shkëmbyer fjalë me njëri-tjetrin për shkak të një vajze. Sherri degjeneroi në një konflikt fizik ku nuk munguan edhe sendet e forta. Mësohet se Erjon Pepellashi nxori një armë të ftohtë, (thikë) dhe me të ka qëlluar shtetasin Elis Spaho. I riu u dërgua menjëherë në spitalin e qytetit për të marrë ndihmën e parë mjekësore pas goditjes, por për fat të keq ai nuk mundi të shpëtojë pasi goditja ka qenë e thellë dhe sipas mjekëve, ajo kishte prekur rëndë zemrën e tij. Pas kësaj autori është larguar menjëherë nga vendngjarja duke lënë trupin e përgjakur përtokë në prani të disa dëshmitarëve. Të plagosur gjatë sherrit mbetën edhe dy shtetas, Leonard Ballço dhe Lodian Hoxha por ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Hetimi
Pas sinjalizimit për ngjarjen e rëndë, policia ka shkuar në vendngjarje ku ka mësuar detaj për krimin e ndodhur. Uniformat blu kryen të gjitha veprimet e duhura hetimore për zbardhjen e gjithë ngjarjes së rrallë, duke shoqëruar edhe një numër të madh personash, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentet e ngjarjes në lokal dhe rreth tij. Nga hetimet paraprake mësohet se “molla e sherrit” ka qenë një vajzë. Elementi i parë i rëndësishëm që jepet rreth ngjarjes prej burimeve policore, është ai i gjendjes së dehur në të cilën ndodheshin që të dy djemtë gjatë momentit të grindjes. Uniformat blu janë vënë në ndjekje të autorit, emri i të cilit është Erjon Pepellashi, dhe për këtë qëllim janë ngritur postblloqe në të dalë të Korçës, por ai u arrestua vetëm dje pasdite.

16 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›