Kapet me tre klandestinë në autobusin e Çarshovës, u kishte marrë nga 700 euro
Përmet – U kishte premtuar se do t’i çonte të sigurt drejt Greqisë dhe për këtë i kishte marrë secilit nga 700 euro. Më pas, Llambro Braho i ka hipur tre personat në fjalë në autobusin e linjës Përmet-Çarshovë për t’i çuar në Pikën e Kalimit Kufitar të 3 Urave, nga ku pretendonte të realizonte edhe kalimin e paligjshëm të tyre drejt tokës greke. Braho është kapur menjëherë nga forcat e policisë së Përmetit, të cilët kanë prishur kështu edhe planin për këtë trafik klandestinësh. Lajmi bëhet i ditur nga burime të Policisë së Gjirokastrës, të cilat sqarojnë se Llambro Braho, 33-vjeç, banues në qytetin e Durrësit, në afërsi të kthesës së Bënjës në aksin rrugor Përmet-Çarshovë, në autobusin e kësaj linje, u kap së bashku me tre persona të tjerë, të cilët nga veprimet hetimore rezultuan se ishin nisur për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin e gjelbër kundrejt pagesës së 700 eurove secili. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, mbi veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”, parashikuar nga neni 298 i Kodit Penal.
Interpoli sjell nga Gjermania të kërkuarin për dy plagosje të kryera në Durrës
Durrës – Forcat e policisë në bashkëpunim me Interpolin gjerman, kanë mundësuar ndalimin e 26-vjeçarit Denis Shtraza, lindur dhe banues në këtë qytet, pasi ndaj tij ekzistonte një vendim gjykate për “arrest me burg” për një konflikt të shoqëruar me plagosje pak muaj më parë në mjediset e disko “Kolombo”. Sipas të dhënave, Shtraza në gusht të vitit të kaluar, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me pistoletë Hektor Kollçakun, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e brendshme të disko “Kolombo”, por Shtraza është i dyshuar edhe si autor edhe i një plagosje të mëparshme në bashkëpunim me një person tjetër. Pas kësaj, Shtraza u shpall në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Durrësit. Ai u arrit të kapej në Gjermani dhe pas një bashkëpunimi mes Policisë Shqiptare dhe Interpolit Gjerman u mundësua kthimi i tij përmes Aeroportit të Rinasit për t’u vënë në dispozicion të Drejtësisë mbi veprat penale të kryera në qytetit bregdetar.
16 Prill 2009