Dobjani: “Të bëhen ndryshime në Kodin Penal”
Tiranë - Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, nëpërmjet një shkrese zyrtare, i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë që të bëjë disa ndryshime në Kodin Penal, në mënyrë që për çështje të njëjta gjykatat të mos operojnë me dy standarde ndaj kërkesave të qytetarëve. Sipas Dobjanit, nga shqyrtimi i disa ankesave të ardhura nga shtetas të dënuar me burgim në mungesë ka konstatuar se: Në rastet kur këta persona vihen në dijeni të dënimeve penale pasi ndalohen nga policia me qëllim ekzekutimin e vendimeve përkatëse, ata shpesh i kanë bërë kërkesë gjykatës për rivendosjen në afat të të drejtës së ankimit. E drejta e rivendosjes në afat të ankimit është parashikuar në Nenin 147 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë. Mbi këtë bazë ligjore, në rastet kur nga gjykata kërkesat e të dënuarve në mungesë janë vlerësuar të drejta, është bërë rivendosja në afat e të drejtës së ankimit. Në disa raste dhe kur vendimi është vënë në ekzekutim nga organi i Prokurorisë, ka ndodhur që megjithëse gjykata ka pranuar kërkesën e të dënuarve për të rivendosur në afat të drejtën e ankimit ndaj vendimit të dënimit të tyre në mungesë dhe megjithëse të burgosurit kanë bërë edhe ankimin në gjykatën më të lartë kundër themelit të çështjes, ata mbahen në burg dhe nuk urdhërohet lirimi i tyre nga gjykata apo Prokuroria. Ky fenomen ndodh në rastet kur ndaj këtyre personave nuk janë vendosur masa sigurimi arrest në burg nga gjykata gjatë hetimit paraprak të çështjes së tyre. Në bazë të Nenit 34/2 të K. Pr. Penale, cilësia e të pandehurit ruhet në çdo gjendje dhe shkallë të procesit derisa të ketë marrë formë të prerë vendimi i pushimit, i pafajësisë ose dënimit. Në rastet e dënimit me burg në mungesë, vendimi i dënimit, pasi merr formë të prerë, vihet në ekzekutim. Mirëpo, pasi vendimi ka marrë formë të prerë, i dënuari e ka humbur cilësinë e të pandehurit. Nëse do të zbatohet me korrektësi dispozita aktuale, Neni 147 i Kodit të Procedurës Penale, rezulton që i dënuari nuk përfiton prej saj sepse nuk parashikohet në të. Nga shqyrtimi i disa vendimeve penale që kanë të bëjnë më këto raste rezulton se të dënuarit, në kërkesën e tyre për rivendosjen në afat të të drejtës së ankimit, i kanë kërkuar gjykatës edhe pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit të tyre. Mirëpo ndodh që gjykata, megjithëse ka pranuar kërkesën për rivendosjen në afat të ankimit, ka rrëzuar kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit të tyre. Rrëzimin e kërkesës për pezullimin e ekzekutimit të vendimit penal me burgim gjykata e argumenton se e drejta e pezullimit të ekzekutimit të vendimit i takon organit të Prokurorisë, i cili ka për detyrë funksionale ekzekutimin e vendimeve penale. Ndërsa Prokuroria përdor si argument për mospezullimin e ekzekutimit të vendimit të vënë në ekzekutim faktin se në asnjë dispozitë të Kodit të Procedurës Penale nuk parashikohet një e drejtë e tillë që, vendimi i vënë në ekzekutim të pezullohet kur rivendoset në afat ankimi. Në vijim të këtij qëndrimi, pezullimin e parashikuar në Nenin 417 të K. Pr. Penale Prokuroria e interpreton se kjo dispozitë vërtet bën fjalë për pezullimin e vendimit të ankimuar, por vetëm në ato raste kur vendimi nuk është vënë në ekzekutim. Kjo mangësi ka bërë që dispozita të interpretohet vetëm në favor të personave të pandehur apo të dënuar, ndaj të cilëve nuk është vënë në ekzekutim vendimi penal.
25 Prill 2009