Trafiku drejt Greqisë, fshehu klandestinen në makinë, arrestohet
Kakavijë – Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë arrestuar në flagrancë një person, i cili kishte fshehur në makinën e tij një grua gjatë kalimit të pikës kufitare të Kakavijës. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, i ndaluari quhet Brahim Trakalaci, 48 vjeç, lindur dhe banues në Fier. Arrestimi i tij u bë për arsye se gjatë një kontrolli në pikën e kufitare të Kakavijës nga forcat e policisë, në automjetin e tij “Benz” kamion, u konstatua se në kabinën e shoferit ai kishte fshehur një qytetare 20-vjeçare nga rrethi i Fierit, e martuar prej dy vjetësh. U zbulua se ai i kishte marrë 2 mijë euro asaj me premtimin se do ta çonte te burri në Greqi, duke e kaluar në mënyrë të paligjshme në kufi. Kontrolli është bërë pasi Trakalaci kishte vulosur dhe po nisej për në tokën greke. Bëhet e ditur se ai punonte te firma “Indi 2000 sh.p.k.”, me transport mallrash të ndryshme.
25 Prill 2009