E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë vendos në favor të ish-pronarëve për Muzeun

Dje u dha vendimi i formës së prerë për konfliktin e hershëm. Baraj, apel presidentit për fatin e Muzeut të Shkencave të Natyrës

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Lartë ka marrë dje vendimin për t’u dhënë ish-pronarëve Muzeun e Shkencave të Natyrës. Vendimi hodhi poshtë kërkesën e pedagogëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të cilët kërkuan dhënien e statusit “Objekt i rëndësisë së veçantë” për Muzeun e Shkencave. Gjykata e Lartë shqyrtoi çështjen, ku në konflikt janë ish-pronarët dhe shteti. Duke u dhënë të drejtë ish-pronarëve të tokës ku është ndërtuar muzeu, Gjykata vendosi që shteti t’u paguajë qiranë nga viti 2001 deri sot ish-pronarëve.
Dy ditë më parë studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave protestuan para Gjykatës së Lartë duke kërkuar mbrojtjen e Muzeut të Shkencave me statusin e një objekti të rëndësisë së veçantë. Muzeu, i cili është i rrallë në rajonin tonë, llogarit një shumëllojshmëri speciesh të kapura në territorin shqiptar.
Reagimi
Partia Socialiste i bën apel Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të shpëtojë Muzeun e Shkencave të Natyrës nga mbyllja. Sekretari për Çështjet e Mjedisit në Partinë Socialiste, Besnik Baraj, tha se presidenti, i cili është edhe person i botës akademike, duhet të ndërhyjë për të ndaluar shkatërrimin e kësaj pasurie të të gjithë shqiptarëve”. Muzeu i Shkencave të Natyrës rrezikon të mbyllet dhe e gjithë pasuria e tij mbi 80-vjeçare të humbasë përgjithmonë. Për të sensibilizuar opinionin publik në tërësi dhe veçanërisht institucionet shtetërore përgjegjëse, përfshirë këtu dhe Presidentin e Republikës, Partia Socialiste zhvilloi një komunikim publik para ambienteve të këtij muzeu. Sekretari për Çështjet Mjedisore në PS, Besnik Baraj, shoqërohej nga një grup të rinjsh, të cilët gjithashtu kanë shprehur shqetësimin për këtë çështje. “Presidenti i Republikës, në cilësinë e tij si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të hetojë gjithë procedurat gjyqësore që çuan në vendimin absurd të dënimit me vdekje të këtij muzeu”, - tha më tej Baraj.
Muzeu
Muzeu i Shkencave Natyrore u themelua në vitin 1948, si pjesë e Institutit të Shkencave. Nëntë vjet më pas, në kohën e krijimit të Universitetit të Tiranës, ai kaloi në varësinë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, pranë Katedrës së Zoologjisë (pjesa zoologjike dhe botanike). Ndërsa pjesa e Mineralogji-Paleontologjisë kaloi në varësinë e Fakultetit të Gjeologji-Minierave (sot pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës). Në vitin 1996 muzeu veçohet si Njësi Shërbimi Universitar, në varësi të Shkencave të Natyrës.

25 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›