Tregu i bonove të thesarit, hi dhen në shitje 3.2 miliard lekë
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, publikoi dje për shitje me ankand 3.2 miliardë lekë bono thesari të Qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankandin e Ministrisë së Financave, që do të zhvillohet më 5 maj, do të dalin për shitje bono thesari me maturim 3-mujor, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen në datën 07.07.2009. Tregu me pakicë i letrave me vlerë të qeverisë gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2009 u dominua në masën 98.06 për qind nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe 1.94 për qind nga instrumente afatgjatë (obligacione). Të dhënat statistikore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mbi tregun me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë për periudhën janar-mars 2009, flasin për një dominim të transaksioneve "Blerje në tregun primar" dhe "Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar" përkatësisht me 36.86 për qind dhe 34.36 për qind kundrejt volumit të përgjithshëm. Referuar të dhënave të mësipërme për nga numri i transaksionit, sipas llojit të investitorëve, individëve apo persona juridikë, shihet se në peshë specifike më të lartë janë investitorët individë me 98.20 për qind të totalit të transaksioneve në këtë treg. Transaksioni i llojit "shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar" ka pësuar një ulje prej 547 milionë lekë ose 17.87 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Po kështu, numri i transaksioneve të këtij lloji ka pësuar një ulje prej 12.73 për qind. Ndërkohë, transaksioni i llojit "blerje nga individët para afatit të maturimit" gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2009 ka pasur një rritje prej 14 milionë lekë ose 90.41 për qind krahasuar me periudhën janar-mars 2008, ndjekur nga një rritje në masën 26 për qind të numrit të transaksioneve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008, vihet re një rënie në vlerë absolute e totalit të transaksioneve me rreth 454 milion lekë.
25 Prill 2009