Dobjani: Të sëmurët e të burgosurit nuk kanë ku të aplikojnë për kartat
TIRANE - Avokati i Popullit, Ermir Dobjani dhe Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Robert Boch, hodhën kritika dje mbi procesin për pajisjen me kartat e identitetit në vend. Në një deklaratë për mediat, Dobjani bëri dje të ditura problemet që inspektorët e AP-së kishin evidentuar në një inspektim të procesit të bërë 2 ditët e fundit në 11 minibashki të kryeqytetit. Dobjani u shpreh për mostransparencë nga shoqëria që po mundëson procesin. I pranishëm në inspektimin e kryer nga AP, ambasadori Boch pohoi se "Do të ishte mjaft mirë të kishim me shumë transparencë të sistemit", ndërsa e konsideroi të justifikuar faktin e moshapjes së zyrave të aplikimit në disa zona të vendit për shkak të motit. Faza aktuale e procesit u cilësua si kritike nga Dobjani, pasi sipas tij, kushtëzohet nga ngushtimi i faktorit kohë. Ndër të tjera Dobjani konsideroi si mjaft problematike moszbatimin e afatit 15 ditor të marrjes së kartave dhe pasaktësi të gjeneraliteteve në regjistrin elektronik. Gjithashtu, shqetësues është parë fakti që nuk është zgjidhur ende nga firma pajisja me kartë e invalidëve apo të moshuarve që nuk lëvizin dot nga banesat, si dhe pajisja me karta e të burgosurve. ar.ba