Pronat, Kuvendi kalon ligjin, PR votë kundër
BLEDAR HOTI
Republikanët dhe opozita votuan kundër ndryshimit të ligjit “Për kthimin e kompensimit të pronës”. Me 61 vota pro, 21 kundër dhe 2 abstenime. Përveç republikanëve votë kundër dha deputeti i djathtë, Spartak Ngjela, ndërsa dy votat abstenuese erdhën nga deputeti demokrat Besnik Mustafaj dhe Ndue Shpani i PDK-së. Të gjithë deputetët republikanë të pranishëm në këtë seancë u shprehën kundër. Ata e komentuan votën kundër me faktin se këto ndryshime janë klienteliste dhe se nuk është në interes të shtresës së pronarëve. Nisma është konstatuar ashpër nga ana e LSI-së, PS-së, duke u shprehur se kjo bëhet për të krijuar abuzime me pronën. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe deklaroi se “kjo nismë nuk bëhet për shkak të pronarëve, por vetëm për interesa klienteliste”. “Nga 100 ndërmarrje të paraqitura në Komisionin e Ekonomisë, kërkesat e pronarëve nuk kapin as 20 për qind për pretendim trualli. Ky projektligj është klientelist, të gjitha janë krijuar në ‘93-’94, ku një pjesë e kanë klientët dhe qeverinë, një pjesë e tyre kanë falimentuar, disa të tjera janë fantazma. Më pak se 40 % e ndërmarrjeve janë në aktivitet. Atëherë kur po ua japin këto?”, deklaroi Braçe. Nënkryetari i grupit parlamentar theksoi se “ky është një projektligj antikushtetues që u merr tokën pronarëve e që u jep atyre atë që mbeten”. “Të gjitha këto ndërmarrje do të shiten, por do të shiten me tokë dhe jo pa atë. Qeveria po u jep tokën dhe i ka lajmëruar se muajin tjetër dalin në shitje që të gjitha. Kjo është klientela e re, jo e vitit 1992-1993, që pasi ka bërë para për katër vjet, tani kërkon të bëjë sërish para. Sali Berisha dhe qeveria e tij në këtë mes janë ndërmjetës”, deklaroi Braçe. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, demokrati Edmond Spaho u shpreh se “asnjë prej ndërmarrjeve nuk është fantazmë apo ka falimentuar”. Ndërsa ish-ministri i Financave, Arben Malaj, u shpreh se “në muajt e fundit të qeverisjes, ju i jeni sulur pronave, aty ku akuzoheni dhe nga raportet e ndërkombëtare”. “Në Vlorë përfaqësuesit e qeverisë iu janë sulur pronave për të marrë qindra hektarë. Nëse toka është private, duhet t’i kthehet menjëherë pronarëve, nëse është shtetërore duhet të shërbejë si formë kompensimi për ish-pronarët”, deklaroi Malaj. Demokratët e kanë cilësuar si një nga zgjidhjet më optimale, duke bërë që të rikapitalizohen vlerat ekonomike në vend. “Ky ndryshim ligjor deri më tash në kapital shtetëror është një përpjekje shtysë nxisë për aktivizimin e këtyre kapitale që mund të t’i quajmë, të vdekura ose të fjetura”, deklaroi demokrati Bujar Leskaj. Republikani Arjan Madhi duke u shprehur në emër të grupit parlamentar deklaroi se “nisma nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi”. “Një projektligj i tillë është klientelist dhe nuk e shohim të lidhur me interesat e pronarëve. Nëse do të kishte një zgjidhje të drejtë, atëherë do të ishte e udhës të lidhej një kontratë mes pronarëve dhe përfaqësuesve të ndërmarrjeve. Ne njëkohësisht kemi informacione se shumë ndërmarrje të deklaruara janë fantazma dhe nuk ekzistojnë. Nuk duhet të realizohet një ligj i tillë në prag të zgjedhje elektorale, pra kalim i pronave drejt të tretëve”, theksoi Madhi. Ndërsa deputeti demokrat Pal Dajçi e ka cilësuar si të drejtë ndryshimin e paraqitur, “pasi nuk mund t’i lihet një kontratë mes pronarit të ndërmarrjes dhe pronarit të tokës, pasi mund të shkojnë në konflikte, në luftë. Ne fondet e krijuara ia japim për kompensim ish-pronarët”.
ndryshimi ligjor
Neni 1
Shtohet në ligjin ekzistues, pas shkronjës “b”, shtohet shkronja “c” me këtë përmbajtje:
c) subjektet e shpronësuara, në marrëveshje me shoqëritë tregtare të përmendura në paragrafin 1 të këtij neni, mund të kompensohen me tokën që këto shoqëri vendosin të blejnë, duke pasur parasysh vlerën e tokës që ka prona e njohur e këtyre subjekteve, si dhe vlerën e tokës që ka në përdorim shoqëria. Marrëveshja ndërmjet subjekteve të shpronësuara dhe shoqërisë që depozitohet në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe ekzekutohet nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike. Këshilli i Ministrave harton procedurën e realizimit të kompensimit të parashikuar në këtë paragraf.
Ngjela: Ky ligj është një vjedhje e pronës
Deputeti i djathtë Spartak Ngjela, i cili ka votuar kundër nismës së qeverisë, u shpreh se kjo është një vjedhje e hapur që po i bëhet pronës së pronarëve të vërtetë. Ngjela kontestoi ndryshimet në ligjin “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, duke i bërë thirrje Presidentit Bamir Topi që të ketë kujdes para hedhjes së firmës. Në të njëjtën kohë, Ngjela e cilësoi këtë nismë të qeverisë si në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit, Kushtetutën. “Në 1991 ky Parlament ka pasur 800 mijë ha që mendonte ti ç’nac-ionalizonte. Në këtë sallë ishin dy grupe rinocerontësh, një pjesë e rinocerontëve, ujqër të vjetër që kishin luftuar 50 vjet për të marrë ato 400 mijë ha dhe ca rinocerontë të rinj, injorant, që nuk dinin asgjë çfarë kishte ndodhur dhe votuan një ligj skandaloz. Me këto sasi toke në dispozicion do të kishim zgjidhur problemin e pronësisë që me kohë”, deklaroi Ngjela. Avokati theksoi gjithashtu se “në asnjë vend të botës pronat nuk kthehen me Agjenci të Kthimit dhe Kompensimit, por vetëm me anë të vendimit të Gjykatave”. Për këtë ai solli si shembull mënyrën e ndjekur nga ana e Çekisë për kthimin e kompensimin e pronave. “Këtu nuk po mendohet për të ulur koston e dëmit, po vazhdimisht hidhen ballona për të rënduar dëmin. Kur do të ia jepni këto prona atyre. Pse është vjedhje? Nëse shoqata “Pronësi me Drejtësi” bën padi penale për këtë ligj të gjithë do ikni në burg për vjedhje. Vetëm nëse kalojnë 120 vjet që keni fituar nga parashkrimi. Edhe ky ligj është jashtë rrjedhës së Kushtetutës aktuale. Nuk ke kompensuar pronarët dhe nuk mund të bësh dot asgjë, por këtu nuk ke Gjykatë Kushtetuese, sepse duhet të kishte pezulluar të gjithë ligjet për pronat, deri në momentin e kthimit të pronës”, deklaroi Ngjela. Deputeti i djathtë u bëri thirrje kolegëve të Parlamentit që të mos ta votojnë një ligj të tillë. “Ky ligj duhet kthyer urgjentisht prapa, pa u kthyer prona pronarëve nuk ka asnjë zgjidhje”, theksoi Ngjela.
Neranxi: Qeveria njësoj si regjimi komunist
Deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi u shpreh kategorikisht kundër këtyre ndryshimeve të paraqitura nga ana e qeverisë për ligjin e pronave. Ai theksoi se “LSI do ta votojë kundër një nismë të tillë, që është në dëm të shtresës së pronarëve”. “Qeverisë shqiptare i është tërhequr vëmendja nga institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e së drejtës së pronësisë, por kjo qeveri nuk ka reflektuar dhe vazhdon të cenojë të drejtën e pronës, si në regjimin komunist që e shtetëzoi atë”, tha Neranxi. Ai theksoi se “Qeveria nuk lejon pronarët, të marrin pronën e tyre të trashëguara, duke shkelur Kushtetutën dhe duke ia dhënë qiramarrësve. Pa u zgjidhur problemi i pronës ne mund të prentendojmë të ecim përpara dhe për t’u bërë anëtar të Bashkim Evropian”. Ai theksoi se “ky veprim realizohet vetëm për interesa elektorale nga ana e qeverisë”.