E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Rama bën politikë pa kuptim

 

Aristir Lumezi

Ish-kryetari socialist, Fatos Nano, ka thyer dje heshtjen e gjatë dhe adresoi kritika të ashpra ndaj drejtimit aktual të PS-së. Nano ka vënë në dyshim politikën e re të shpallur nga kryetari socialist Edi Rama, i cili gjatë fjalimeve të tij hedh poshtë atë çka ka bërë politika shqiptare, përfshi dhe socialistët në këto 18 vjet. Nano distancohet nga sloganet dhe politika e re që po ndiqet në Partinë Socialiste, duke e konsideruar këtë filozofi dhe praktikë të pakuptimtë. “Unë besoj se flas duke heshtur gjithashtu. Natyrisht nuk mund të jem pranë një politike që është në vlerësimin tim e pakuptimshme, pavarësisht nga etiketat e reja. Dhe e pafrytshme jo vetëm për shqiptarët në përgjithësi, por edhe për popullin e majtë në veçanti, madje vazhdoj të mendoj se si është e mundur se politikanët e rinj nuk po kalkulojnë as interesat e karrierës së tyre personale”, tha ish-kryetari socialist. Këto deklarata Nano i bëri pas aplikimit të tij dhe bashkëshortes Xhoana Nano për karta identiteti në njësinë bashkiake nr.10. Ish-kreu socialist i është përgjigjur interesimit të madh të mediave, në këtë dalje të tij pas shumë kohësh. I pyetur nëse do të jetë pjesë e fushatës zgjedhore të PS-së, Nano u shpreh se, “nuk besoj se Partia Socialiste përfaqësohet nga politika e sotme zyrtare”. Në deklarimet e djeshme, ish-kryeministri i fundit i socialistëve u mundua të mbajë para zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit pozicionin që po mban që prej dhënies së dorëheqjes së tij nga drejtimi i PS-së, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2005-ës. I distancuar nga politika aktive dhe i tërhequr nga ndryshimet statutore, strukturore dhe bashkëpunimet brenda të majtës dhe të djathtës gjatë katër viteve të fundit, Nano u mundua të tregohet mbi palët, duke ia lënë vlerësimin për këtë pozicionim kreut aktual socialist Edi Rama. “Unë jam i vërtetë kështu siç jam, nuk jam i vërtetë të fus ndonjë dorë për të përçarë akoma më tej të majtën”, tha Nano. Në lidhje me deklarimet e Nanos, sekretari organizativ në PS, Blendi Klosi, i ftuar në një studio televizive tha dje se, “PS-ja do të vlerësojë çdo figurë dhe mbetet një parti e hapur, që mirëpret të gjitha kontributet”. Pak ditë më parë, Nano gjatë një prononcimi në gazetën “Panorama”, kërkoi nga disa figura në PS që të mos përdorin dhe spekulojnë me emrin e tij. “Njeriu i fundit që mund të bënte një deklaratë të tillë nga PS-ja është Xhafa, dhe ai që më pak nga të gjithë të tjerët e kupton këtë realitet është Xhafa”, u shpreh Nano. Kjo deklaratë e ish-kreut socialist erdhi pas deklaratave që sekretari socialist, Xhafaj sipas të cilit në PS ka një realitet të ri dhe të tjerët duhet të kontribuojnë në këtë realitet.

Aplikimi i Nanos
Ish-kryetari socialist Fatos Nano e ka cilësuar procesin e aplikimit për kartë identiteti të vështirë, por brenda standardeve evropiane. Nano është vonuar në dhënien e shenjave të gishtave, për shkak të vështirësisë së njohjes nga ana e skanerit të shenjave të tij. Pas disa provave, aplikimi është realizuar me sukses, duke plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›