E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: PD, një parti simotër e PS-së

 

Deputeti i PS-së, Pandeli Majko është deklaruar kundër nismës së qeverisë për ndryshimin e ligjit të pronave, duke theksuar se ai bie ndesh me Kushtetutën. Ai akuzoi PD-në se me vendimet që po merr po sillet si një parti e majtë, duke tradhtuar shtresën për të cilën e ka votuar tradicionalisht, pronarët. “Keni sjellë një projektligj për të shpronësuar pronarët në interes të qiramarrësve. Nuk ka Kushtetutë të Evropës, as të shkruajtur në Kushtetutën e Shqipërisë, që prona mund të fitohet me qiramarrje”, deklaroi Majko. Ai shtoi se është dakord se kur shteti është pronar, por nëse ka pronësi një tjetër, kjo është një shkelje e Kushtetutës së Shqipërisë. “Me mënyrat se si po silleni, të nderuar vëllezër ka kohë që unë nuk ju shikoj si një parti të djathtë, por ju shoh si një parti motër. Prandaj kam dalë këtu t’ju thënë kujdes mos shkelni Kushtetutën. Reformat merreni në daç të majta, në daç të ekstremit të majtë, por jo të shkelni Kushtetutën”, deklaroi Majko. Ish-kryeministri deklaroi se pronarët duhet të reflektojnë mbi një çështje të tillë, duke e lidhur me afrimin e procesit zgjedhor. “E përsëris edhe një herë, në asnjë mënyrë nuk e kemi të drejtën ne si Parlament t’i heqim të drejtën legjitime pronarit të vjetër për t’ia dhënë qiramarrësit. Kjo nuk ka ndodhur dhe s’mund të ndodhë. Ju kujtoj të ndjeheni pak të djathtë e mos i lini jetim këta që vijnë nga familjet e persekutuara. Deputeti socialist ka qenë mjaft i ashpër mbi projektligjet e paraqitura nga ana e qeverisë, në lidhje me procesin e reformës së pronësisë në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›