Pronat, bllokohet fondi i 2008
BLEDAR HOTI
Fondi prej 500 milionë lekëve ende nuk është shpërndarë për ish-pronarët. Të 163 fituesit e shpallur nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ende nuk kanë marrë paratë e tyre. Të shpallur si fitues që më datën 2 shkurt, më shumë se një muaj më parë, në llogaritë e subjekteve të shpronësuara nuk janë derdhur ende paratë që përfitojnë nga ana e kompensimit financiar. Shkak mësohet se ka qenë zbardhja e vendimit nga ana e zyrës qendrore të AKKP-së, mbi 740 kërkesat për arsyet e shpalljes fitues ose jo në procesin e përzgjedhjes për shpërndarjen e fondit që ishte parashikuar të ndahet brenda muajit dhjetor të vitit të kaluar. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, Elvis Çefa në një prononcim për “Panorama” thekson se “sot pret që të firmosë shkresën për kalimin e fondit në llogaritë bankare të 163 pronarëve fitues”. “Kemi përfunduar të gjithë punën e firmosjes së 740 kërkesave dhe tani presim të kalojmë fondin e parashikuar. Sot ose nesër mund të kalojmë urdhrin për xhirimin e fondit në llogaritë bankare të 163 fituesve”, deklaroi Çefa. Kreu i Përgjithshëm i AKKP-së thekson se kjo vonesë nuk ka ardhur si pasojë e rrezikimit të shpërndarjes së fondit, por për shkak të shqyrtimit të numrit të madh të dosjeve që kanë aplikuar për vitin e kaluar. Ndërsa për këtë vit ende nuk kanë nisur procedurat për kompensimin e subjekteve të shpronësuara. Çefa thekson se “pritet vendimi i qeverisë për mënyrën e ndarjes së shumës së akorduar në buxhetin e shtetit në një vlerë prej 600 milionë lekësh”. Parashikohet që vendimi i qeverisë të merret përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, duke synuar që fondi të ndahet, edhe sipas afatit ligjor, në muajin qershor. Për këtë pritet që qeveria të shpallë në një mënyrë të shpejtë vendimin e saj për mënyrën e skemës që do të përdoret për kompensimin financiar. Vitin e kaluar, AKKP-ja seleksionoi 740 kërkesa të administruara për procesin e kompensimit financiar.