E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Rama kalon në frymëzime kaotike që nuk kanë lidhje me demokracinë”



Eljona Ballhysa
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, ka përshëndetur dje deklaratën e kreut të OSBE-së, Soares, duke e konsideruar atë në përputhje me qëndrimin e maxhorancës. Meta e ka konsideruar qëndrimin e Ramës si një përpjekje të tijën kaotike dhe anarkiste që nuk ka asnjë lidhje me shtetet demokratike. Gjatë një konference për shtyp, ministri i Jashtëm Meta u shpreh se qëndrimi i Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së është një qëndrim konstruktiv që konfirmon edhe njëherë tjetër rëndësinë e dialogut për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë politike për këtë situatë të paarsyetuar bojkoti. Sipas Metës, OSBE-ja mbështet hetimin e pretendimeve që janë ngritur, por duke respektuar Kushtetutën dhe pavarësinë e gjykatave.
Qëndrimi
Përsa i përket kërkesës së pandryshuar të Partisë Socialiste për hetim të pakufizuar të zgjedhjeve, Meta u shpreh se në një situatë të tillë Rama duhet të tregohet më i përgjegjshëm dhe të bashkëpunojë me Berishën e Topin për të arritur kompromisin.
“Unë mendoj se kryetari i PS-së duhet të jetë më i përgjegjshëm për këtë situatë, pasi, për fat të keq, ai kërkon t’ua faturojë të tjerëve, për fat të keq edhe vendit, një përgjegjësi ekskluzive të tij. Është e lehtë të thuash se duhet të çlirohemi nga ky sistem zgjedhor, ndërkohë që të gjithë e dimë se arkitekti i këtij sistemi, arkitekti i këtij kodi, arkitekti i këtij administrimi, ishte në radhë të parë vetë z. Rama. Së dyti, është për të ardhur keq që z. Rama, në vend të bashkëpunojë me z. Berisha dhe me presidentin Topi, që ka iniciuar një tryezë bashkëbisedimi, por edhe me komunitetin ndërkombëtar, i cili i ka monitoruar këto zgjedhje, i ka certifikuar ato, ka bërë edhe sugjerime të qarta se si duhet ecur në të ardhmen; përkundrazi, z. Rama kalon në frymëzime kaotike dhe anarkiste që nuk kanë asnjë lidhje me një vend demokratik, asnjë lidhje me një vend i cili është anëtar i NATO-s apo me një vend që synon të bëhet anëtar i BE-së”, - është shprehur Meta.
Ai theksoi se në asnjë vend anëtar të BE-së nuk janë hapur kutitë e votimit që me vendim gjykate nuk janë lejuar që të hapen. Ministri Meta e ka konsideruar të gabuar deklaratën e Ramës dhe qëndrimin e palëkundur të PS-së, duke theksuar se zgjedhjet e 2009-s kanë qenë më të mirat të mbajtura ndonjëherë në Shqipëri. “Deklarata e z. Rama është shumë e gabuar sepse për herë të parë në Shqipëri zgjedhjet u bënë si asnjëherë tjetër nga një kolegj zgjedhor që u pranua si gjykata supreme nga z. Rama dhe z. Berisha. Dhe për herë të parë anëtarët e këtij kolegji zgjedhor ishin gjykatësit që u zgjodhën me konsensusin e plotë të z. Rama. Pra, të mos pranosh as gjykatën që e zgjedh vetë paraprakisht dhe, në fund fare, kur vendimet e saj nuk përkojnë me interesin personal të z. Rama, ky është një qëndrim që jo vetëm nuk është parimor, por as edhe konstruktiv”, - është shprehur Meta.
Tryeza
Përsa i përket tryezës së dialogut të organizuar nga presidenti Topi, Meta u shpreh i bindur se Presidenti i Republikës do të respektojë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Në qoftë se në këtë vend ka një njeri që përfaqëson një institucion, që lexon dhe që duhet ta lexojë Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese më mirë se kushdo tjetër, ky është Presidenti i Republikës. Se çfarë mund të bëjë Presidenti, është një përgjegjësi e tij dhe një ndërhyrje nga ana jonë do të ishte e gabuar. Mendoj se nuk është normale të nxitesh nga aleatët e tu, nga të cilët asnjë nuk është në Parlament, për t’i bërë presion Presidentit”, - është shprehur Meta, ndërsa ka ironizuar pozicionin e aleateve të PS-së që janë parti joparlamentare.
Meta ka theksuar se asnjë institucion ndërkombëtar nuk mund të mbështesë kërkesa antikushtetuese siç është shkelja e vendimeve të Gjykatës. “Dhe të jeni të sigurt se asnjë ndërkombëtar nuk mund të përkrahë një precedent antikushtetues në Shqipëri që mund të cenojë gjykatat, sepse kjo do të thotë që ky do të shërbejë si një precedent destabilizues edhe për vendet e tjera, si vendet e rajonit apo edhe vendet e tjera ku OSBE-ja dhe ODHIR-i janë prezentë”, - është shprehur ministri i Jashtëm.

Topalli niset drejt Egjiptit për konferencën mbi pjesëmarrjen e grave në polikë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të zhvillojë një vizitë dyditore në Egjipt për të marrë pjesë në konferencën “Gratë parlamentare si faktor aktiv të zhvillimit”, që organizohet nën kujdesin e Zonjës së Parë të Egjiptit, Suzanne Mubarak. Kryetarja Jozefina Topalli është e vetmja kryetare Parlamenti që është ftuar të marrë pjesë në këtë konferencë dhe, si e ftuar speciale, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë do të referojë mbi rolin e gruas në politikë si faktor shumë i rëndësishëm dhe si vlerë themelore për një qeverisje demokratike. Gjatë kësaj vizite, zonja Jozefina Topalli do të pritet në takime të veçanta nga kryetari i Parlamentit të Egjiptit, Ahmed Fat’hy Sorour, kryeministri Ahmed Nazif dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ahmed Aboul Gheit.

20 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›