E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani mbyll mandatin, mungesa e opozitës krijon boshllëk

Brenda muajit shkurt përfundon mandati i Avokatit të Popullit, Emir Dobjanit, një nga institucionet më të rëndësishme kushtetuese, por mungesa e opozitës pritet të krijojë një boshllëk në emërimin e Avokatit të ri. Më datë 17 shkurt 2005, Emir Dobjani u rizgjodh për të dytën herë nga Parlamenti shqiptar në postin e Avokatit të Popullit, me 99 vota pro, 14 kundër dhe 8 abstenime. Referuar nenit 61 të Kushtetutës, “Avokati i Popullit zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë prej 5 vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje”. Kështu, duhen 84 vota për të miratuar Avokatin e ri dhe pas datës 17 shkurt Kuvendi duhet të miratojë një kreun e ri të këtij institucioni, por mungesa e votave të opozitës do të krijojë një boshllëk në emërimin në krye të Avokatit të Popullit. Kushtetuta ka përcaktuar kriteret e emërimit të kreut të Avokatit të Popullit, i cili ka një mandat 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeve. “Avokati i Popullit mund të jetë çdo shtetas shqiptar, me arsim të lartë, me njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit. Avokati i Popullit gëzon imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Avokati i Popullit nuk mund të bëjë pjesë në asnjë parti politike, nuk mund të kryejë veprimtari tjetër politike, shtetërore ose profesionale dhe as të marrë pjesë në organizmat drejtues të organizatave shoqërore, ekonomike dhe tregtare”, - thuhet në Kushtetutë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›