Ish-pronarët, krijohet me ligj fondi special i kompensimit
Këshilli i Ministrave dërgoi në Kuvend projektligjin për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave. Ndryshe nga ligjet e mëparshme, me këtë ligj, të gjitha të ardhurat që nuk do të jenë vetëm nga buxheti i shtetit, do të grumbullohen në Thesarin e Shtetit dhe më pas Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të bëjë shpërndarjen e tyre. Sipas këtij projektligji, parësorë do të jenë ish-pronarët e tokave që janë prekur nga ligji i legalizimeve. Këtyre subjekteve u miratohet emri nga qeveria dhe më pas AKKP-ja bën kompensimin financiar të tyre. Në këtë projekt parashikohet që të ardhurat e këtij fondi do të shtohen edhe me burime të tjera, si: të ardhurat nga procesi i privatizimit, ankandet publike dhe donatorët. Projektligji parashikon edhe burimet e krijimit dhe rregullat për administrimin të fondit. Kështu, përcaktohet se burimet e fondit të kompensimit të pronave janë të ardhurat buxhetore dhe të ardhurat nga donatorë të ndryshëm. Tek të ardhurat buxhetore përfshihen: a) të ardhurat nga buxheti i shtetit për kompensimin e subjekteve të shpronësuara, sipas ligjit nr. 9 235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar; b) të ardhurat e realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, në masën 65 për qind e vlerës së shitjes për objektet, dhe 100 për qind e vlerës së shitjes për truallin; c) të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, sipas ligjit nr. 9 482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar; ç) të ardhura të tjera që, sipas ligjeve të veçanta apo akteve nënligjore, kalojnë për llogari të fondit të kompensimit të pronave.
Përfituesit
Në bazë të arkëtimit të të ardhurave buxhetore, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Financave, miraton shumën në dispozicion të pronarëve që kanë fituar të drejtën për shpërblim në përputhje me ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe shtrirjen kohore të përfitimit të kësaj shume. Pjesa e mbetur e fondit të kompensimit financiar përdoret për kompensimin e subjekteve të shpronësuara, që kanë fituar të drejtën për kompensim sipas ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës, në periudha të ndryshme kohore gjatë vitit, në varësi të të ardhurave që gjenden në fondin e kompensimit të pronave. Fondi i kompensimit të pronave administrohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Fondi i kompensimit çelet në një llogari të veçantë të thesarit në Bankën e Shqipërisë. Burimet që përbëjnë fondin e kompensimit të pronave arkëtohen dhe administrohen, sipas natyrës së tyre, nëpërmjet sistemit të thesarit. Fondi i kompensimit të pronave përdoret për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve që kanë fituar të drejtën e kompensimit financiar, kur kthimi fizik i pronës së tyre ka qenë i pamundur. Kategoritë e subjekteve përfituese janë tri: subjektet e shpronësuara, që kanë fituar të drejtën për kompensim në përputhje me ligjin nr. 9 235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, përfitojnë kompensim nga fondi i kompensimit, sipas vlerës dhe mënyrës së përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit të pronarëve në të holla; pronarët, që kanë fituar të drejtën për shpërblim në përputhje me ligjin nr. 9 482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, përfitojnë kompensim nga fondi i kompensimit, në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelave ndërtimore. Po ashtu, çdo subjekt i shpronësuar, të cilit i njihet e drejta e kompensimit të pronës me ligj të veçantë, përfiton kompensim nga fondi i kompensimit, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj apo në ligjin që i njeh të drejtën e kompensimit.
Të ardhurat për krijimin e fondit të kompensimit financiar
1- të ardhurat nga buxheti i shtetit për kompensimin e subjekteve të shpronësuara, sipas ligjit nr. 9 235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar;
2- të ardhurat e realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, në masën 65 për qind e vlerës së shitjes për objektet, dhe 100 për qind e vlerës së shitjes për truallin;
3- të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, sipas ligjit nr. 9 482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar;
4- të ardhura të tjera që, sipas ligjeve të veçanta apo akteve nënligjore, kalojnë për llogari të fondit të kompensimit të pronave.
5-të ardhura nga donatorë të ndryshëm
Pagesa me 50% bono privatizimi, ligji, të enjten në Kuvend
Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese miratoi dje ndryshimet në ligjin për legalizimet, duke vendosur që çdo ndërtim pa leje të paguajë deri në 50 për qind me letra me vlerë për detyrimet që ka për të legalizuar objektin. Ky komision ishte i fundit, kështu që projektligji do të shkojë për miratim final ditën e enjte në seancën e radhës së Kuvendit. Ndryshimet në ligj heqin kufizimet në përdorimin e bonove, ndërkohë që detyrimi për ALUIZNI-n paguhet deri në 50% me letra me vlerë, duke bërë që edhe qytetarët të cilët kanë ndërtime infomale që konsiderohen sociale nën këto metra katrorë, do të mund të paguajnë deri në 50 për qind të detyrimeve me letra me vlerë. Në ligjin e miratuar dy muaj më parë në Kuvend, sanksionohej që letrat me vlerë të përdoreshin në masën 50 për qind vetëm për ndërtimet informale të cilat konsiderohen të mëdha. Sipas ligjit, me letra me vlerë paguanin deri në 50 për qind, vetëm ndërtimet mbi 300 metra katrorë brenda vijës së verdhë si dhe 500 metra katrorë jashtë vijës së verdhë. Me ndryshimet që u miratuan, edhe qytetarët që kanë ndërtime informale që konsiderohen sociale nën këto metra katrorë, do të mund të paguajnë deri në 50 për qind të detyrimeve me letra me vlerë. Sipas ndryshimeve që do të shkojnë në Kuvend, përcaktohet se si për ndërtimet brenda vijës së verdhë, ashtu edhe për ato jashtë vijës së verdhë, pagesa me bono privatizimi nuk do të jetë më e madhe se 50 për qind e vlerës që duhet për të legalizuar shtëpinë. Në këtë ndryshim përcaktohet se ndërtimet në periferi përfshihen në proces për letra me vlerë. Këto ndërtime sipas ligjit nuk paguajnë më shumë se 4 milionë lekë të vjetra, por edhe këtë sasi ato mund ta paguajnë gjysmën me letra me vlerë. Pika e dytë e projektligjit përcakton se ndërtimet me parcela të vogla brenda vijës së verdhë do të paguajnë gjysmën me letra me vlerë. Edhe këto ndërtime paguajnë deri në 4 milionë lekë të vjetra maksimumi për legalizimin por tashme mund të paguajnë gjysmën me letra me vlerë. Përdorimi i letrave me vlerë apo bonove të privatizimit në procesin e legalizimeve nuk ka afat. Ligji parashikon që brenda një periudhe 3-mujore, çdo i interesuar që kërkon të paguajë ndërtimin e tij me letra me vlerë, duhet të bëjë një kërkesë tek Agjencia e Legalizimeve. Kështu, duke filluar nga data 24 nëntor e vitit të kaluar e deri më 24 shkurt, qytetarët kanë afat për të bërë kërkesës pranë ALUIZNI-t.