Nishani: Investim real për gjykatën e Tiranës
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ka premtuar kryerjen e një investimi në gjykatën e Tiranës, që do të shërbejë për të shmangur shtyrjen e proceseve gjyqësore. Edhe pse puna e bërë nga ky institucion është e kënaqshme, një problem serioz mbetet numri i ulët i gjyqtarëve dhe mungesa e infrastrukturës, që çojnë në shtyrjen e shumë proceseve gjyqësore.
“Është shumë e rëndësishme gjetja e zgjidhjeve themelore për uljen e volumit të çështjeve që trajtohet nga ana e gjyqtarëve dhe unë besoj se një nga hapat e rëndësishëm të marrë së fundmi është i rëndësishëm”, - u shpreh Nishani.
Ndërkohë që shqetësues mbetet fakti i volumit të punës që një gjyqtar duhet të përballojë gjatë ditës. Kështu, në bazë të ritmit të punës, një gjyqtari i duhet që të gjykojë tetë çështje penale. Kryetari i gjykatës së Tiranës, Artan Zeneli, gjatë analizës së zhvilluar ditën e djeshme, bëri thirrje që të rritet numri i gjyqtarëve në mënyrë që proceset të shtohen normalisht e të mos ketë shtyrje. Një problem serioz është edhe mungesa e ambienteve, që çojnë në vonesa.
“Për shkak të ndarjes së gjykatave në dy godina, të gjitha masat e sigurimit zhvilloheshin në Dhomën Penale, çfarë ka sjellë një amulli në shpërndarjen e çështjeve penale. Ky shqetësim po kapërcehet si rezultat i shpërndarjes së masës së sigurimit për t’u gjykuar nga e gjithë trupa gjyqësore”, - tha ai.
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, gjatë analizës së gjykatës së Tiranës për vitin e kaluar u shpreh se volumi i punës është më i larti në dhjetë vitet e fundit. Spahiu ka vlerësuar edhe cilësinë e gjykimit nga ana e institucionit të Shkallës së Parë, ku nga çështjet e kaluara për shqyrtim janë lënë në fuqi 67% e çështjeve civile dhe 53% e atyre penale. “Besoj që ky parametër është realist, duke qenë se konfliktet që ankimohen, janë ndër ato që i japin peshë reputacionit të gjyqësorit dhe gjyqtarëve”, - u shpreh Spahiu.
Për nënkryetarin e KLD-së, për një ecuri sa më të mirë të gjyqësorit, nevojiten edhe disa “rregullime” të vogla.
Kështu, nevojitet një infrastrukturë më e mirë, që gjyqtari të mos detyrohet të zhvillojë seanca në zyrë vetëm një metër larg palëve, një pagesë më e lartë, e nevoja për më shumë mbrojtje fizike të gjyqtarit; i cili gjykon veprimet kriminale të shtetasve të këtij vendi.
Spahiu u shpreh se një funksionim sa më i mirë i drejtësisë është një kërkesë e nevojshme për Bashkimin Evropian.
Spahiu gjatë fjalës së tij u shpreh se gjykata e Tiranës është më e varfër, madje edhe se ato të kryeqyteteve të Afrikës së Veriut apo Amerikës Latine, edhe pse fiton më shumë se çdo gjykatë tjetër nga taksat gjyqësore për shkak të volumit të çështjeve.
Gjatë vitit 2009 në gjykatën e Tiranës janë marrë nën shqyrtim 28 596 çështje penale. Nga këto 22 505 prej tyre janë çështje civile, 4470 çështje penale dhe 214 çështje ushtarake.
Rreth 22 549 prej këtyre çështjeve janë përfunduar, ndërsa 6047 prej tyre janë të mbartura dhe do të trajtohen gjatë këtij viti. Puna e bërë gjatë vitit 2009 ka qenë më me volum në dhjetë vitet e fundit. Rritja e popullsisë ka sjellë rritjen e numrit të çështjeve të trajtuara nga ky institucion. Ndërkohë që numri i gjyqtarëve dhe punonjësve të tjerë ka pësuar ndryshime të vogla. Nisur nga kjo, vërehen vështirësi për sa i përket zhvillimit normal dhe në kohë të gjyqeve. Dhe shkak janë mungesa e ambienteve si dhe numri i pakët i punonjësve. Një kërkesë e bërë gjatë analizës së mbajtur ka qenë edhe rritja e fondeve, pasi edhe pse gjykata siguron të ardhura nga taksat për proceset gjyqësore, sërish ajo “mbetet e varfër”