E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Biblioteka Kombëtare" Salla e re, pazar diskutimesh për lexuesit

Përurimi i sallës së re në vend që ti gëzonte lexuesit, shton kalvarin e problemeve në këtë institucion
Përurimi i një salle të re për lexuesit shqiptarë ka qenë një ndër gjërat e pakta, që Biblioteka Kombëtare ka realizuar para disa javësh. Por kjo në vend që ti gëzonte lexuesit, duket se vijon me kalvarin e problemeve në këtë institucion. Sapo dëgjon fjalën sallë leximi të një biblioteke, aq më tepër kombëtare, ajo që të vjen ndër mend është mbajtja e qetësisë dhe zakonisht në çdo bibliotekë në botë një nga kriteret bazë në krijimin apo ndërtimin e sallave të leximit është pikërisht përmbushja e këtij kushti. Por le të rikthehemi tek sallajonë e leximit, e përuruar para disa javësh në Bibliotekën Kombëtare në kryeqytet. Më në fund lexuesi shqiptar nëse arrin të gjejë librin që do, e ka tashmë një vend ku të ulet dhe të fillojë të lexojë veprën apo një studim të caktuar. Sapo hap librin dhe fillon të shfletosh, vëmendjen ta tërheq një lexues tjetër, i cili ose pyet për diçka tek informacioni, i cili si për ironi të fatit qëndron në të njëjtin mjedis me sallën e leximit, në të njëjtin vend ku lexohet apo pyetet për informacione të caktuara. Në një kohë kur para se të bëhej përurimi i kësaj salle është folur shumë nga drejtuesit e këtij institucioni, për një mjedis i cili do të ishte më së miri në funksion të qytetarëve, por ajo që shikohet është krejt e kundërta në Bibliotekën Kombëtare. Duket qartë se kjo sallë leximi nuk i afrohet asaj të premtuar dhe investimit të përfolur aq shumë. Zhurmë , zhurmë dhe vetëm këtë mund të konstatosh sapo futesh brenda këtij institucioni, në një kohë kur duhet të jetë një mjedis ku të mbizotërojë qetësia, në këtë sallë leximi dëgjohen kërcitja takash, qytetarë që shfryjnë të mërzitur sepse nuk gjejnë librin, një punonjëse biblioteke ndonjëherë mundohet të mbajë qetësinë, por kjo gjë nuk arrihet dhe kështu ai që e pëson është lexuesi, i cili ndodhet në këtë sallë leximi. Veç zhurmës, nuk mungon dhe era e byrekëve, të cilët qëndrojnë mbi skedarë gjatë momentit kur lexuesit e tjerë vijnë për të marrë një libër. E nëse ti je në një sallë leximi në institucionin që mban emrin Bibliotekë Kombëtare, është e vështirë ta quash të tillë, pasi ajo të ngjan si një pazar ku shikon qese të mbushura me byrekë, apo më keq në vend të ngjajë si nj sallë leximi ajo të ngjan si pazar llafesh. E duket se askush nuk shqetësohet për këtë fenomen që i shqetëson ata që janë ulur në tavolina dhe po lexojnë. Të mërzitur dhe në pikë të hallit ata nuk kanë se çfarë të bëjnë tjetër, ulin kokat dhe mundohen që të përqendrohen në veprën dhe materialin që kanë para syve, por kjo në shumë raste është e pamundur. Megjithëse pamja sapo futesh brenda tek shkallët e Bibliotekës Komëbtare është rregulluar me vazo lulesh, të cilat janë rregulluar bukur, nëse bën më tutje vetëm pak metra për tek salla e leximit, kundërmon era byrekë. E nëse kjo situatë nuk i bezdis drejtuesit pasi ata mund të jenë në mjedise më komode, lexuesit janë në pikë të hallit. Ndërkohë që një lexuese e  pyetur në mjediset e Bibliotekës Kombëtare në lidhje me shërbimin që ky institucion shtetëror ofron shprehet se i pari problem që ndeshet në këtë institucion sapo hy në Bibliotekën Kombëtare është sjellja e punonjësve, që e kanë pritur me një ton jashtë etikës, pa i dhënë informacion për atë që ajo kërkonte. Më tej lexuesja vijon të shprehet dhe për mungesën e librave dhe zhurmën që është në këtë institucion. Pasi debatova për disa minuta dhe u përballa me tonin e lartë të punonjësve në këtë institucion, më në fund e gjeta librin që doja dhe u ula për të lexuar. Por në fakt ishte pamundur që të lexoje në këtë sallë, që quhet e leximit, pasi mbizotëron zhurma e atyre që kërkojnë libra, në skedarë dhe kundërmon era e byrekëve të futur në qese, shprehet Fatjola Pema studente. Ndërsa shoqja e saj shton se sapo vjen në bibliotekë çdo gjë që ka lidhje më shërbimin, nuk ofrohet me atë që kërkojnë lexuesit.  Ndërkohë që në lidhje me të tilla probleme në media është folur shumë, por duket se çdo gjë ka rënë në vesh të shurdhër, pasi asnjë ndryshim pozitiv nuk është vërejtur. Përkundrazi për fat të keq ka shtim të problemeve nga dita në ditë. Normalisht që të lind pyetja që gjithmonë vazhdon të përsëritet: Kur do të mbarojnë këto probleme në Bibliotekën Kombëtare?

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›