E Diel, 1 Nëntor 2026

Olli shpall fituese PD, plas sherri midis PS dhe KQZ

Socialistët kundërshtojnë rezultatin e KQZ për zgjedhjet
Shpallja e rezultatit paraprak nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ku nxori fituese Partinë Demokratike, ka futur në sherr të paparë anëtarët e KQZ me Partinë Socialiste. Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Leonard Olli, publikoi rezultatin paraprak të zgjedhjeve, në bazë të të dhënave të kutive të numëruara deri mbrëmjen e djeshme. KQZ ka bërë të ditur paraprakisht se koalicioni Aleanca e Ndryshimit ka siguruar 71 mandate kundrejt 65 mandateve të Bashkimit për Ndryshim dhe 4 mandate të Aleancës Socialiste për Integrim. KQZ thekson se nga 4703 kuti të numëruar deri në këto çaste, koalicioni i djathtë rezulton të ketë 46.69% të votave ndërsa Bashkimi për Ndryshim 45.36%. Aleanca Socialiste për Integrim ka siguruar 5.56% të votave. Menjëherë pas deklaratës së Ollit, ka reaguar Ruçi nga Partia Socialiste, duke e quajtur këtë si një urdhër politik. Më tej Ruçi i bëri apel Berishës që të heqë dorë nga mandati i 9 i PS në Fier, përndryshe do të përballet me protesta të dhunshme në rrugë. Ndërkohë, menjëherë pas deklaratës së zëdhënësit të KQZ Leonard Olli, ka reaguar edhe nënkryetarja e KQZ dhe njëkohësisht përfaqësuese e Partisë Socialiste, e cila e u shpreh se kjo është një gafë shokuese dhe në asnjë mënyrë nuk është certifikuar rezultati i ndarjes se mandateve. Sipas saj ndarja e mandateve bëhet me vendim të KQZ dhe e cilësoi deklaratën e Ollit si individuale dhe joligjore. Ndërkohë, në kuadër të certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, KQZ ka konstatuar dhe vazhdon të publikojë një numër parregullsish në rezultatet e zyrtare paraprake të shpallura deri më tani në disa KZAZ të vendit për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Shumë vota të një subjekti ka rezultuar se i kanë kaluar gabimisht apo qëllimisht një subjekti tjetër gjatë përllogaritjeve të rezultateve. Ndaj, administrata e KQZ duke përpunuar të dhënat e tabelave në sallën operative, ka konstatuar këto shkelje, që një pasqyrë jo e plotë e të cilave është si më poshtë: Në Qarkun e Durrësit, në Qendrën e Votimit nr. 1430/1 të KZAZ nr. 8, 168 vota të Partisë Demokratike i janë regjistruar si rezultat elektoral Partisë Demokracia e Re Evropiane duke ndikuar kështu edhe në rezultatet përfundimtare për këtë qark. Në Qarkun e Elbasanit, në Qendrën e Votimit nr. 2303 të KZAZ nr. 12, 237 vota të Partisë Demokratike i janë regjistruar si rezultat elektoral Partisë Demokracia e Re Evropiane. Gjithashtu në Qarkun e Kukësit, në Qendrën e Votimit nr. 0502 të KZAZ nr. 36, 75 vota të Partisë Demokratike i janë regjistruar si rezultat elektoral Partisë Demokracia e Re Evropiane. Në Qarkun e Lezhës, Qendra e Votimit nr. 0847 të KZAZ nr. 39, 250 vota të Partisë Demokratike i janë regjistruar si rezultat elektoral Partisë Demokracia e Re Evropiane. Në Qarkun e Lezhës, Qendra e Votimit nr. 0707 të KZAZ nr. 37, 150 vota të Partisë Demokratike i janë regjistruar si rezultat elektoral Partisë së të Drejtave të Mohuara e Re, ndërkohë që rezultati elektoral prej 2 votash i Partisë Demokracia e Re Evropiane i është regjistruar si rezultat elektoral Partisë Demokratike. Në Qarkun e Shkodrës, në Qendrën e Votimit nr. 0280 të KZAZ nr. 40, 183 vota të Partisë Demokratike i janë regjistruar si rezultat elektoral Partisë Demokracia e Re Evropiane. Në Qarkun e Tiranës, në QV 1955/1 të KZAZ nr. 53, 148 vota të Partisë Demokratike i janë regjistruar si rezultat elektoral Partisë Demokracia e Re Evropiane. Në Qarkun e Vlorës, në QV 4451 të KZAZ 61, 59 vota të Partisë Demokratike i janë regjistruar si rezultat elektoral Partisë Demokracia e Re Evropiane. Një numër tjetër gabimesh në regjistrimin e rezultateve të KQZ, me vlera më të vogla votash, paraqiten për QV 3262 të KZAZ Nr. 24 të Qarkut të Fierit, për QV 4338 të KZAZ Nr. 25 të Qarkut të Gjirokastrës, për QV 3846 të KZAZ 29 në Qarkun e Korçës, apo për QV 1673 të KZAZ 58 në Qarkun e Tiranës. Sipas shifrave të mësipërme, rezulton se Partisë Demokratike i janë hequr më shumë vota, por meqenëse këto i janë zbritur në qarqe të ndryshme të vendit, kjo nuk do të ndikonte deri aty saqë të ulte apo të ngrinte numrin e mandateve të saj. Kjo është një pjesë e rezultateve të gabuara, të publikuara paraprakisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkohë që vijon puna për llogaritjen e votave të 6 Qendrave të Votimit të Qarkut të Lezhës në këtë institucion. Megjithatë, KQZ është në hapat e para në verifikimi dhe ballafaqimin midis rezultatit që është shënuar në procesverbal dhe të rezultatit që ka kompania ECA dhe KRIK.

**********************************************************************************
Republikanët, kërkesë ankimore në KQZ për qarkun e Beratit
Partia Republikane e kryesuar nga Fatmir Mediu, ka paraqitur pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë ankimore ku ka shprehur konstatimet e saj për parregullsitë e procesit zgjedhor në qarkun e Beratit. Sipas republikanëve zgjedhjet janë manipuluar deri në atë masë saqë ka ndikuar në numrin e mandateve dhe në rezultatin përfundimtar të PR. Partia Republikane është e para forcë politike që ka paraqitur kërkesën ankimore zyrtare pranë KQZ për zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkaq, pasi është njohur kërkesën ankimore të PR, KQZ ka vendosur të shqyrtoje më vonë animimin, pasi ligji jep afat deri më 24 orë pas kohës së paraqitur. Në ditët në vijim pritet që shumë partitë të tjera të vogla të kontestojnë zgjedhjet në disa KZAZ të ndryshme të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›