Doda: Do të mbroj gratë në Parlament
Kandidatja e Partisë Demokratike në Qarkun e Fierit, Mesila Doda, deklaroi në një takim me gratë në Komunën Mbrostar, se qeveria shqiptare ka miratuar politika të caktuara për mbështetjen e gruas në shoqëri. Doda u shpreh se "ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit në vitin 2006 u hapi rrugën politikave në lidhje me strategjinë e gruas, me strategjinë e barazisë gjinore". Kandidatja e PD-së, Mesila Doda, premtoi se do të jetë një zë i fuqishëm në Parlament, në mbrojtje të të drejtave të grave. "Gratë janë shtylla kryesore e familjes, janë ato që përkushtohen më shumë ndaj saj dhe marrin më pak sot, prandaj duhet të kemi kujdes për të kuptuar se çfarë duhet të bëhet për gratë", tha kandidatja e PD-së për Fierin. Doda theksoi se gjatë katër viteve të qeverisjes së mazhorancës së djathtë, numri i grave në administratën shtetërore ka shënuar një rritje të theksuar dhe se në katër vitet e ardhshme, numri tyre do të shtohet edhe më shumë.