E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Zyrat, të hapura nga ora 08:00-22:00

Rreth 500 zyrat e aplikimit për kartat e identitetit do të qëndrojnë hapur për 14 orë në ditë. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka bërë me dije dje se ndryshon urdhri i qeverisë që zyrat për aplikimin e letërnjoftimeve të qëndrojnë hapur nga ora 08:00-13:00 dhe nga ora 17:00-21:00. Sipas Nishanit, këto zyra do të qëndrojnë të hapura për 14 orë, nga ora 08:00-22:00. Kryeministri Berisha u shpreh në mbledhjen e fundit të qeverisë se ky orar është vendosur pasi shqiptarët janë dashamirës të gjumit të drekës, por afrimi i datës së zgjedhjeve ka sjellë që qeveria të bëjë një tjetër ndërhyrje në orarin e këtyre zyrave. Nga shifrat e Ministrisë së Brendshme, deri tani kanë aplikuar për karta 1253360 persona. Nga letërnjoftimet e prodhuara dhe të shpërndara në qendrat e aplikimit, deri më tani kanë tërhequr letërnjoftimet e tyre 767190 qytetarë. Ministri Nishani u ka bërë thirrje të gjithë atyre qytetarëve që kanë aplikuar për letërnjoftimin deri më datën 24 maj 2009, që të paraqiten për ta tërhequr atë. Pyetjes nëse do të ketë zgjedhës që nuk do të munden të votojnë për shkak se nuk do të kenë as letërnjoftim as pasaportë, Nishani i përgjigjet se kjo nuk do të ndodhë për shkak të pamundësisë të kapaciteteve apo kohës në dispozicion. "Ekzistojnë të gjitha kapacitetet e mundshme që të gjithë shtetasit pa pasaportë të pajisen me letërnjoftimin elektronik. Ministria e Brendshme, si implementuese e këtij procesi, i ka siguruar të gjitha kapacitetet e mundshme për çdo qytetar që të aplikojë, ndërkohë që nuk ka munguar as informacioni për çdo qytetar të vendit, pavarësisht vendbanimit të tij, lidhur me mënyrën dhe vendin e aplikimit", tha Nishani. Duke iu referuar eksperiencave të mëparshme, në Shqipëri marrin pjesë jo më shumë se 1380000 votues, ndërkohë që numri i aplikimeve për letërnjoftimin elektronik po shkon drejt shifrës 1400000. "Ne i kemi të gjitha mundësitë që çdo qytetar i cili paraqitet për të aplikuar apo për të tërhequr kartën, ta ketë atë në disponim përpara ditës së zgjedhjeve", tha Nishani. Pyetjes lidhur me mundësinë e dublimit të emrave në listën e zgjedhësve, të bërë publike në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme, Nishani i është përgjigjur: "Programi është i tillë që verifikon dhe dublikon dy e nga dy emrat". Ministri ka shtuar se për zgjedhjet e 28 qershorit, Policia e Shtetit do të tregojë performancën e saj më të mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›