E Diel, 1 Nëntor 2026

PDI çel fushatën në Qarkun e Fierit

Çamët e Fierit dhe të gjithë vendit, për herë të parë në këto zgjedhje, do të votojnë për "vëllain" e tyre të Çamërisë. Në Fier, ku ka një komunitet të madh çam, forca politike që përfaqëson këtë kategori, Partia për Drejtësi dhe Integrim, pretendon të marrë dy deputetë, ndërkohë që në të gjithë vendin, numri i deputetëve që parashikon të marrë PDI-ja është më i lartë. Tahir Muhedini, kryetari i PDI-së për të gjithë vendin, gjatë çeljes së fushatës elektorale në Qarkun e Fierit është shprehur se në Parlamentin shqiptar do të jenë faktor çamët. "Madje, prezenca jonë në Parlament do jetë faktorizuese edhe për krijimin e qeverisë së ardhshme", tha ai. Ashtu si dhe në takimet e tjera të zhvilluara në qarqet e tjera të vendit, edhe në Fier kreu i PDI-së, Tahir Muhedini, është shprehur se kjo parti është në koalicion me grupimin "Aleanca për Ndryshim". "Ju vëllezër çamë e dini tashmë se PDI-ja është në koalicion me ‘Aleancën për Ndryshim‘, por duhet ta dini se, edhe pse jemi deklaruar brenda këtij koalicioni, vota e të gjithë neve do të jetë e pavarur. Të gjithë ne që jemi e ndihemi çamë, do të votojmë për të qenë vetë prezent në Parlament, prezencë që do ta çojë në zgjidhje edhe çështjen tonë. Ka ardhur koha që çamët dhe çështja e tyre e pazgjidhur të shkojnë në vendin e tyre", nënvizoi në Fier Muhedini. Ndërsa ka bërë thirrje për të votuar për PDI-në dhe kandidatët e kësaj partie, Muhedini është shprehur se Parlamenti shqiptar dhe qeveritë e deritanishme nuk kanë marrë parasysh zgjidhjen e çështjes çame. Ai ka premtuar gjithashtu dhe është angazhuar përpara qindra të pranishmëve se "jo vetëm në organizmat ndërkombëtarë, siç kam shkuar deri tani për çështjen çame, por edhe në të tjerë organizma do të vijoj të shkoj për zgjidhjen përfundimtare të këtij gabimi historik. Do të votojmë për PDI-në, do të vazhdojmë ta çojmë drejtësinë në vend, pasi vetëm PDI-ja në Shqipëri është forcë politike që ka në themel të saj çështjen kombëtare". Në Fier kryeson listën e kandidatëve për deputetë nga PDI-ja biznesmeni Nimet Musai, i cili shpesh herë ka investuar për aktivitetet e zhvilluara nga komuniteti çam. Çelja e fushatës elektorale për këtë parti në Qarkun e Fierit është shoqëruar me nota të theksuara patriotike. Në të janë kënduar këngë çame, ndërkohë që qindra persona të cilët ishin të pranishëm në sheshin qendror të Fierit, ku u zhvillua takimi, kanë qenë të veshur me kostumet popullore çame.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›