E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Politika, jo luftë për pushtet personal"

Kryesocialisti Edi Rama shpjegoi dje nga Librazhdi mesazhin e këngës që shoqëron fushatën elektorale të kësaj partie, "Çohu". Duke iu përgjigjur Kryeministrit Sali Berisha, Rama tha se

kënga nuk është për kreun e qeverisë, por është për të gjithë shqiptarët. "Kënga jonë nuk është për Saliun që rri më këmbë, ngaqë kalin e pushtetit e ka lidhur me trungun e familjes, por për shqiptarët e zakonshëm, që i ka gjunjëzuar varfëria e papunësia, për popullin e tradhtuar për 18 vjet me radhë, që në 28 qershor do të çohet më këmbë, për ta zgjidhur kalin e pushtetit nga litarët e politikës së vjetër dhe për të vrapuar drejt Evropës pa kufij", tha Rama. Kreu socialist sqaroi se për të politika nuk është luftë për pushtet personal, siç është për Sali Berishën, dhe as mjet për të përfituar, duke thënë gjëra që nuk i bën dhe duke bërë gjëra që nuk thuhen, siç bën Sali Berisha. Rama premtoi ritme të reja të zhvillimit të biznesit të vogël në vend, duke theksuar se nuk do të ketë më absurditete si pagat e referencës. Ai u fokusua edhe te qëllimi për të inkurajuar biznesin e huaj për të investuar në këtë vend. Njëkohësisht, Rama u ndal te çështja e liberalizimit të vizave, duke premtuar se me qeverinë e re socialiste, kufijtë për shqiptarët do të bien në vitin 2010.

Ai fajësoi qeverinë "Berisha", e cila nuk e mbajti premtimin për liberalizimin e vizave, përkundrazi, sipas tij, Shqipëria ka humbur mjaft drejt këtij procesi. "4 vjet më parë, Sali Berisha e kërkoi dhe e mori votën e shqiptarëve për shumë arsye, por njëra ndër këto arsye ishte se premtoi që shqiptarët do të lëviznin pa viza", u shpreh Rama. Sot, 4 vjet më vonë, vijoi ai, jo vetëm që Shqipëria është ende e mbyllur, jo vetëm që qindra mijëra shqiptarë nuk arrijnë të dalin dot prej saj dhe qindra mijëra familje janë ndarë më dysh, vajza e djem që nuk hyjnë e dalin dot nga Shqipëria, familjarë që nuk shkojnë t‘i takojnë dot djemtë e vajzat e tyre, por sot Shqipëria, për shkak të Sali Berishës, mbeti jashtë paketës së fundit, ku u përfshi edhe Serbia", tha Rama. Ai shprehu keqardhjen që për shkak të kësaj politike të vjetër dhe të dështuar, jo vetëm që ne nuk mund të kemi sot viza për të lëvizur lirisht në Evropë, por do të na duhet që edhe për të hyrë në Maqedoni dhe Mal të Zi të marrim vizë, njësoj si për të shkuar në Francë apo Gjermani. "Kjo është politika e vjetër! Ky është dështimi i madh! Kjo është arsyeja pse unë ju them këtu sot, se ne socialistët nuk ju premtojmë, por angazhohemi që në 2010-n t‘i heqim kufijtë që e ndajnë nga Evropa dhe të bëjmë që çdo shqiptar e shqiptare të hyjë e të dalë lirisht në Evropë e Shqipëri, si qytetar i lirë dhe i barabartë i Evropës", shtoi kryesocialisti. Njëkohësisht, kryetari i PS-së u ndal te një prej pikave më të rëndësishme të programit socialist. Punësimi, u shpreh kreu i PS-së, është një nga themelet e programit tonë qeverisës, ndaj me votën tuaj të 28 qershorit, ju do t‘i jepni jetë këtij programi të ri, që u jep zgjidhje të reja shumë prej problemeve tuaja të vjetra. Rama u shpreh se të gjitha qytetet e Shqipërisë do të ecin me të njëjtin ritëm zhvillimi pas 28 qershorit. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Librazhdit të bëhen pjesë e bashkimit të madh, të ndryshojnë vendin, ritmet e shpejtësisë drejt BE-së, ku na takon të jemi pjesë, jo vetëm gjeografikisht. Rama nënvizoi se është në këtë garë nga atdhedashuria dhe jo nga etja për pushtet, siç është kundërshtari i tij politik, Sali Berisha.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›