E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dodoveci dhe “dordoleci” i PS-së

Dodoveci është një fshat i vogël por njëkohësisht edhe mjaft i largët në rrethin e Beratit. Ai ndodhet në kufi me fshatrat e rrethit të Tepelenës dhe të Përmetit, i izoluar nga çfarëdo lloj zhvillimi urban që ka prekur Shqipërinë e viteve dymijë. Largësia gjeografike ndihet edhe më shumë për arsye se mungon infrastruktura rrugore që e lidh këtë fshat me qendrën e komunës dhe atë të rrethit. Zhvillimet demokratike të pas viteve ’90, megjithë intensitetin e lartë që i ka karakterizuar, për arsye tërësisht objektive, ende nuk kanë mbërritur deri në skajin juglindor të rrethit të Beratit. Si përfundim mund të themi se, Dodoveci është një fshat, që edhe për shkak të varfërisë materiale dhe kulturore të trashëguara nga regjimi monist, i ka shfrytëzuar më pak se fqinjët e tij rreth e rrotull, mundësitë e lëvizjes së lirë që ka krijuar demokracia. Rrallë ka ndodhur që në zona të tilla si Dodoveci, të ketë mbetur më shumë se gjysma e popullsisë të kohës së “Qoftlargut”, kur largimi nga fshati ishte i ndaluar me ligj e moral. Po edhe vizitorët, ky fshat i ka të rrallë; zakonisht ata përbëhen nga miq e të afërm të dodovecarëve që vijnë aty vetëm për hall, si në një varrezë. Pra, nëse do të perifrazojmë shkrimtarin e shquar amerikan Mark Tuen, “…ata që janë brenda nuk mund të dalin jashtë dhe ata që janë jashtë, nuk kanë asnjë dëshirë që të hyjnë brenda!” Humoristi i madh i tha këto fjalë teksa ishte duke shëtitur pranë një varreze, kur pa disa inxhinierë dhe punëtorë që bënin matje të ndryshme, për arsye se gardhi që rrethonte varrezën ishte prishur dhe ata donin të ndërtonin një mur të mirë rrethues në vend të tij… Por arsyeja që emrin e këtij fshati “të vdekur” po e sjellim në vëmendjen e lexuesit shqiptar nuk lidhet dhe aq me faktet e sapocituara. Ajo që do të tregojmë më poshtë, për frymën e militantizmit “grushtbashkuar”, të dëshmuar në zgjedhjet e 28 qershorit ’09 ka mundësi që të bëjë Dodovecin po aq të njohur sa edhe “shoqen nga Berati”, e cila në një nga mbledhjet e socialistëve lokalë të këtij qyteti iu drejtua udhëheqjes së lartë të PS-së me fjalët: “Nuk duam as bukë, as ujë, as drita; vetëm unitetin tuaj të shëndoshë”.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve të 28 qershorit ’09, djali i një komunisti fanatik të Dodovecit, ndër të paktët të rinj të padalë të këtij fshati, zbriti në qytetin e Beratit për të takuar në emër të “fshatit socialist” udhëheqësit e lartë të PS-së e për t’u premtuar atyre se “dodovecarët do të votonin fshatçe për PS-në”. Ai kishte udhëtuar plot 12 orë, si një maratonomak i vërtetë, për të mbërritur në qytet. Kur kishte qenë para disa ditësh tek një i afërmi i tij në Poliçan kishte dëgjuar Edi Ramën në një intervistë televizive të thoshte: “Do ta bëj Shqipërinë si Tirana(?!)”. Në Tiranë s’kishte qenë ndonjëherë, por të afërmit e tij në Poliçan, që për fat kishin qëlluar të gjithë socialistë, i kishin thënë se “Tirana është…Tiranë, or çun!”. Megjithëse përsëri nuk kishte kuptuar gjë, ai kishte arritur të krijonte përshtypjen se “Tirana është më mirë se Dodoveci, madje edhe më mirë se Poliçani apo Berati”. I entuziazmuar se më s’ka, kthehet në fshat dhe u thotë shtëpi më shtëpi se “të 50 votat që kemi do t’ja japim Edi Ramës, pasi ai do ta bëjë Dodovecin si Tiranën (!) Nuk na duhen ne ato që thotë Berisha se, “do të lidh çdo fshat me rrugë të asfaltuar me qendrën e komunës e më tej…”. Në Dodovec, PS-ja nuk ka pësuar asnjë firo nga pluralizmi, ndaj vazhdon të jetë “forca e vetme udhëheqëse në jetën…” e fshatit. Kështu që kur erdhi dita e votimeve, rezultati i zgjedhjeve në këtë fshat doli 50 me 0 për PS-në. Në këto kushte, të nesërmen e zgjedhjeve “Maratonomaku” i Dodovecit, pasi huajti një kostum gri diku në lagje, u nis sërish drejt selisë lokale të socialistëve të Beratit për t’u dhënë sihariqin e votimit plebishitar të fshatit të tij për “nënën parti”. Por drejtuesit lokalë të socialistëve të Beratit ia trasmetuan me vonesë lajmin e gëzuar që solli “gjaku i ri” i Dodovecit për Edi Ramën, madje pas shpalljes së rezultatit zgjedhor për këtë qark. Siç tregojnë, Rama pasi është njohur me këtë “rezultat fantastik të politikës së re” ka marrë në telefon kreun e PS-së Berat dhe e ka sharë atë me libër shtëpie. Pastaj ka dalë menjëherë në konferencë shtypi dhe ka kërkuar “rinumërim për Beratin”, me shpresë se shembulli i Dodovecit nuk do të ishte i vetëm në këtë qark…

Por shembulli i Dodovecit po e shndërron Ramën në një dordolec të vërtetë, pasi mendon se të gjithë shqiptarët e majtë janë dodovecarë të lindur. Madje ky etiketim nuk ka kuptim figurativ, nëse për momentin përfytyrojmë Ramën e paradisajavëve, të veshur me çitjane e jelek ngjyrë bajame dhe kokën si një arrë e madhe. Por pas zgjedhjeve të 28 qershorit ’09 ai po shndërrohet nga një “dordolec” i pamjes fizike, në një dordolec të pikëpamjeve politike. Pra, po bëhet çdo ditë e më qesharak në sytë e shqiptarëve, të cilët nuk i ka verbuar militantizmi majtist që u ka lënë trashëgim këtij populli regjimi enverist. Edhe deklaratat parazgjedhore të Ramës se ai “nuk është politikan” apo “përtej së majtës e së djathtës”, po aq sa absurde janë edhe qesharake. Por pamjen e një dordoleci të vërtetë politik ai e ka marrë qysh kur mori mandatën e humbjes elektorale, rreth një javë pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit ’09. Në këtë moment ai mori tërësisht pozat e një dordoleci të lagur nga koka deri tek këmbët, i cili donte të hakmerrej me të gjithë për gjëndjen e vështirë në të cilën ishte katandisur, pas humbjes së zgjedhjeve. Ndaj filloi të dalë përditë në konferencë shtypi dhe të replikojë në distancë me Berishën, Metën, KQZ-në, Kolegjin Zgjedhor e kështu me radhë. Shembulli i Dodovecit i jepte forcë dhe kurajo, jo vetëm për të përballuar “armiqtë e jashtëm” që i kujtonin humbjen, por edhe “armiqtë e brendshëm” që i kujtonin dorëheqjen. “Mos jep dorëheqjen, se kështu u bën qejfin armiqve!”, ishte mesazhi që “maratonomaku” i Dodovecit i kishte përcjellë Edi Ramës nga telefoni celular i kreut të PS-së Berat. Por statuti i Partisë Socialiste në nenin 28 të tij përcakton qartë se, mandati i kryetarit ndërpritet para kohe në se forca politike që ai kryeson humbet zgjedhjet e përgjithshme. Në këto kushte, qëndrimi i mëtejshëm në krye të PS-së i Edi Ramës është antistatutor, sado “peticione” dodovecare apo solidarizime telefonike në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, të vijnë nga enveristët e PS-së poshtë në bazë. Nano e bëri një veprim të tillë dinjitoz, pa qenë i shtrënguar dhe aq nga statuti. Dhe nëse Rama nuk do të ndjekë shembullin e Nanos, të njohur si një liberal tipik i së majtës në Shqipëri, le të ndjekë atë të Duçes, të njohur si një diktator fanatik i së majtës në Itali. Plot 66 vjet më parë Duçe dha dorëheqjen, për shkak se e humbi luftën. Po edhe Rama e humbi betejën elektorale të 28 qershorit ’09. Në këtë mënyrë ai humbi edhe të vetmen mundësi që pati në jetë për të bërë karierë në politikë, megjithëse kurrë nuk e pati seriozisht një gjë të tillë. Është rasti i parë në botë që një kryetar partie, i cili kërkon të vijë në pushtet, të mos e përfshijë emrin e vet në listën e kandidatëve për deputet të kësaj force politike. Kjo do të thotë politikë socialiste për hobi, ose “për kohën e lirë”. Bernard Shou, dramaturg i shquar anglez dhe personalitet politik në vitet 1880-1890, kur u njoh me intervistën e një shkrimtari amerikan në gazetë, i cili, midis të tjerash, qe shprehur se, “gjithë koha ime e lirë kalon me propagandë socialiste dhe me tenis”, dhe pasi lexoi romanin gjoja socialist të këtij shkrimtari tha: “Do të bënte mirë të merrej më shumë me tenis”. Kështu që edhe Edi Rama bën mirë që tani e tutje të merret më shumë me “tenis” sesa me politikë, derisa të mbyllë edhe kapitullin e kryetarllëkut të Bashkisë Tiranë pas 2 vitesh. Çdo përpjekje tjetër për të qëndruar me forcë e manipulime në krye të PS-së, siç veproi kur u bë kryetar i saj, është e dështuar dhe ka për ta bërë akoma më qesharak Ramën në sytë e shqiptarëve, qoftë edhe duke keqpërdorur forumet e larta partiake të PS-së apo bazën socialiste të tipit “Dodovec”. Përfaqësues të njohur të forumeve të kësaj partie po ia thonë ditë pas dite, herë tërthorazi dhe herë drejtpërdrejt, një gjë të tillë Edi Ramës. Së fundi, ishte figura “numër dy” e kësaj partie, Gramoz Ruçi, që ia bëri të qartë Ramës se nuk do të mund të përdorë forumet e PS për të mbrojtur karrigen e kryetarit. Por akoma më e turpshme dhe amorale është, si të thuash, të përdorë “forumet” dhe figurën e një shteti të tërë për këtë synim uzurpator të tij, duke vazhduar të njollosë zgjedhjet më të mira që shqiptarët kanë bërë ndonjëherë në vitet e pluralizmit. Rama e filloi fushatën si Obama por po e përfundon si dajo Koleka. Por si mund të bëhej ai një Obama shqiptar pa hyrë në garë?! Nga ana tjetër, duke kaluar tek situata më e fundit e sjelljes së tij politike, i kujtojmë se një nga parimet të cilat publikoi dhe po i përmbahet Presidenti Obama ishte: “Do të jem mjaft i vëmendshëm ndaj zërave ndryshe, qoftë ai edhe një i vetëm”. Në këto kushte deklaratat e tij “për të mos njohur zgjedhjet” apo “legjitimitetin e kësaj qeverie”, jo vetëm që bien ndesh me pikëpamjet e disa prej personaliteteve të lartë të PS-së, por janë tërësisht formulime të një njeriu të papërgjegjshëm mendërisht. Ato janë thjeshtë shprehje dëshpëruese të tij, të cilat kurrsesi s’kanë për të marrë miratimin unanim të forumeve të larta të kësaj force politike, pavarësisht se Rama i ka mbushur ato me bashkiakët dhe dodovecarët e tij fanatikë. Sidoqoftë në krye të kësaj force politike ka ende njerëz të përgjegjshëm dhe me kontribute të rëndësishme për fuqizimin apo faktorizimin e PS-së në jetën e shoqërisë shqiptare që dordolec-kryetarin e tyre do ta zhvendosin shumë shpejt nga “kopshti” i partisë në atë të bashkisë, deri sa të mbarojë dhe këtë mandat pushteti të pamerituar, për të përfunduar pastaj në një dordolec historik i këtij vendi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›